UEFA, Konfederata Aziatike e Futbollit dhe ajo e Amerikës Veriore e Qendrore kanë sulmuar publikisht presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Në një letër të hapur drejtuar komunitetit të futbollit 3 konfederatat thonë se besimi është thyer përmes mashtrimit dhe se Infantino ka vendosur veten mbi interesin kolektiv.
Ata kërkojnë një hetim tërësisht të pavarur për të zbardhur se çfarë çoi në këtë krizë.
Në letrën e tyre, konfederatat theksojnë se udhëheqja në futboll nuk është çështje pushteti, por një përgjegjësi ndaj gjithë familjes së futbollit.
“Ka heshtje aty ku duhet të ketë përgjegjësi, distancë aty ku duhet të ketë transparencë. Këto nuk janë cilësitë që futbolli meriton të gjejë te udhëheqja e tij“, thuhet në letër.
Në qendër të konfliktit është plani, tashmë i braktisur, për të shitur rreth 20% të të drejtave tregtare të Kupës së Botës tek investitorë privatë.
Kritikat janë shtuar edhe pas një mbledhjeje emergjente të FIFA-s në Marok javën e kaluar.
Sipas UEFA-s, në takim ishte i pranishëm vetëm një zyrtar i zgjedhur. Ndërkohë presidentja e Federatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klaveness i ka kërkuar publikisht Infantino të largohet menjëherë nga posti.
Por Gianni Infantino ka edhe mbështetës si Konfederata Afrikane e Futbollit apo edhe federata si Meksika, Argjentina, Paraguai, Ekuadori dhe Bolivia.
Vetë FIFA ka reaguar ashpër ndaj kritikëve, duke denoncuar atë që e cilëson si një përpjekje të koordinuar për të dobësuar autoritetin e Infantinos.