Dy nga figurat më karizmatike dhe më të përfolura të botës së sportit, Tyson Fury dhe Zlatan Ibrahimovic, po përgatisin një goditje të madhe që pritet të tronditë futbollin dhe industrinë e televizionit.

Sipas raportimeve të fundit nga mediat britanike, kampioni i boksit dhe legjenda e futbollit janë në bisedime serioze për të blerë klubin anglez, Morecambe FC, i cili militon në ligat e ulëta të Anglisë dhe po kalon një krizë të thellë financiare.

Projekti “Rise of Morecambe” në stilin e Hollywood-it

Reklamë

Synimi i dyshes nuk është thjesht një investim pasiv. Fury dhe Ibrahimovic po planifikojnë të ndjekin modelin e suksesshëm të aktorëve të Hollywood-it, Ryan Reynolds dhe Rob McElhenney me klubin Wrexham.

Ata synojnë të prodhojnë një seri dokumentare në Netflix të titulluar “Rise of Morecambe” (Ngritja e Morecambe), e cila do të ndjekë hap pas hapi ringritjen e klubit nga rreziku i shuarjes drejt elitës së futbollit anglez.
Lidhja e Tyson Fury-t me Morecambe është e hershme. Në vitin 2020, “Gypsy King” bleu një palestër moderne dykatëshe brenda stadiumit të klubit (Mazuma Stadium), vend i cili shërben edhe si selia e fondacionit të tij humanitar.

Çfarë po përgatitet për 1 gusht në Dublin?

Ky lajm vjen menjëherë pasi dyshja pushtoi rrjetet sociale me një foto ku shfaqeshin përballë njëri-tjetrit. Ibrahimovic postoi imazhin me mbishkrimin enigmatik: “Lajm i fundit! Më 1 gusht në Dublin, Irlandë”, duke shtuar hashtagun #MakingBoxingGreatAgain.

Ndonëse fillimisht u aludua për një meç boksi (që u hodh poshtë nga mediat italiane pasi Zlatan mban rolin e këshilltarit te AC Milan), burimet konfirmojnë se ky takim në Dublin do të jetë pikënisja zyrtare e bashkëpunimit të tyre të madh për blerjen e klubit dhe xhirimet e projektit gjigant mediatik.

Reklamë

Menaxheri i Fury-t, Spencer Brown, pranoi gjithashtu se dy yjet janë “të ndezur” për këtë projekt dhe tashmë po kërkohet mbështetja financiare, ku nuk përjashtohet edhe përfshirja e investitorëve të fuqishëm nga Arabia Saudite.

/Reporteri.net/