UEFA do t’i shpërndajë këtë javë rreth 31.5 milionë euro për klubet që i lejuan lojtarët e tyre t’i përfaqësonin kombëtaret në edicionin 2024/25 të UEFA Nations League.
Bëhet fjalë për pagesën e parë në kuadër të ciklit aktual të Programit të Përfitimeve për Klubet, të parashikuar në memorandumin e mirëkuptimit mes UEFA-s dhe European Football Clubs (EFC).
Në total, programi i parashikon 104 milionë euro për klubet që kanë liruar lojtarë për Ligën e Kombeve, për edicionet 2024/25 dhe 2026/27, si dhe për kualifikueset e Euro 2028, shkruan “La Gazzetta dello Sport”, përcjell “Gazeta Express”.
Sipas mekanizmit të përcaktuar nga UEFA, klubet kompensohen me 3,845 euro për lojtar dhe për ndeshje, për çdo futbollist të kualifikuar të përfshirë në listën e kombëtares për ndeshjet e Nations League dhe të kualifikueseve evropiane.
Në këtë pagesë përfshihen 611 klube nga të gjitha federatat anëtare të UEFA-s, përfshirë edhe disa klube amatore.
Klubi që do ta përfitojë shumën më të madhe është RB Leipzig, i cili do t’i marrë rreth 353 mijë euro pasi i kishte 16 lojtarë të grumbulluar me kombëtaret.
Programi aktual i përfitimeve, i lidhur me Euro 2028, e parashikon shpërndarjen e gjithsej 244 milionë eurove.
Prej tyre, 104 milionë euro janë të destinuara për klubet që lirojnë lojtarë për Nations League dhe kualifikueset e Euro 2028, ndërsa 140 milionë euro do të shpërndahen për klubet që do të kenë futbollistë të përfshirë në fazën finale të Euro 2028.
Pagesat e tjera do të kryhen në faza, në përputhje me përfundimin e turneve dhe proceseve përkatëse.