Mbrojtësi francez, Ibrahima Konaté, është larguar zyrtarisht nga Liverpool FC si lojtar i lirë, ka bërë të ditur gazetari i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano.

Pas pesë vitesh në “Anfield”, Konaté ka publikuar një mesazh prekës lamtumire, duke falënderuar klubin, bashkëlojtarët dhe tifozët për periudhën që e përshkroi si një nga më të rëndësishmet në jetën e tij.

“Pesë vjet më parë erdha si një lojtar i ri me ëndrra të mëdha. Sot po largohem me kujtime që do të mbeten me mua për pjesën tjetër të jetës”, ka shkruar ai.

Reklamë

Mbrojtësi francez theksoi se ishte nder të përfaqësonte Liverpoolin, duke kujtuar trofetë, sfidat, miqësitë e krijuara dhe momentet e vështira që ka përjetuar gjatë qëndrimit te klubi anglez.Konaté përmendi edhe humbjen e babait të tij gjatë këtij viti, duke e cilësuar si një nga periudhat më të rënda të jetës, por shtoi se përkushtimi i tij ndaj klubit nuk u lëkund asnjëherë.

Ai shprehu mirënjohje për bashkëlojtarët, trajnerët dhe stafin e klubit, ndërsa një falënderim të veçantë ua kushtoi tifozëve të Liverpoolit.

“Anfield është vërtet një vend i veçantë dhe të luaja para jush ishte diçka që nuk e mora kurrë si të mirëqenë”, shkroi Konaté.

Në fund, ai u shpreh i pikëlluar që nuk pati mundësinë t’u thoshte lamtumirë tifozëve në ndeshjen e fundit, pasi në atë kohë nuk e dinte se do të ishte paraqitja e tij e fundit me fanellën e Liverpoolit.