Zyrtare: Dënohet Leci, kaq gjatë është suspenduar ai

Komisioni Disiplinor në Federatën e Futbollit të Kosovës ka dënuar me gjashtë ndeshje moslojë Liridon Lecin e Dritës për shkak të sjelljes josportive në fund të ndeshjes Drita-Trepça ’89 drejtuar gjyqtarit Granit Hyseni dhe për sulmin ndaj futbollistit Hasan Hyseni të Trepçës ’89.


Leci është dënuar me gjashtë ndeshje moslojë në ndeshjet zyrtare të organizuara nga FFK-ja.

Ky është njoftimi i plotë:

Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në përbërje; Dukagjin Zefi – kryetar dhe Luan Salihu e Avni Shala – anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 07.05.2019 shqyrtoi procedurat e hapura disiplinore nga mbledhja e kaluar e komisionit si dhe inicimet e filluara nga ana e komisioneve garuese pas përfundimit të ndeshjeve nga java e fundit për shkaktaret e kundërvajtjeve dhe për të njëjtit duke iu referuar raporteve zyrtare nga ndeshjet e zhvilluara konform Dispozitave të Rregullores disiplinore nxjerri këto:

Vendime:

LIRIDON LECI; lojtar i klubit të futbollit “DRITA “nga Gjilani me numër të ID kartelës 000540M85 dhe licencuar në Federatën e Futbollit të Kosovës me numër të fanellës sportive 13, në procedurë të pezullimit nga mbledhja e kaluar e Komisionit Disiplinore për manifestim të sjelljeve josportive pas përfundimit të ndeshjes së javës së ; XXVIII-të IPKO-SUPERLIGES së Kosovës në futboll për kategorinë e seniorëve ; DRITA – TREPÇA 89 e zhvilluar me datë 21.04.2019 në Gjilan (raportet zyrtare nga ndeshja e zhvilluar si dhe deklaratat plotësuese; pas përfundimit të ndeshjes rrugës për në zhveshtore lojtari Liridon Leci fyen, ofendon dhe kërcënon asistentin Granit Hyseni, po i njëjti lojtar Liridon Leci sulmon fizikisht lojtarin e klubit të futbollit “Trepça ‘89“ nga Mitrovica me numër 7; Hasan Hysenin të cilit i shkakton lëndime në fytyrë) Citojmë së lojtari Liridon Leci për atë ndeshje ishte i pezulluar dhe jo i evidentuar në protokollin zyrtar të ndeshjes . Bazuar në deklaratën plotësuese të vet lojtarit dhe të tjerëve Konform Rregullores disiplinore neni 44 paragrafi 1 pika 1, lojtari Liridon Leci ; DËNOHET ; me ndalesë loje për 6 (gjashtë) ndeshje zyrtare sipas radhës të organizuara nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ditë më parë Leci tha për KTV-në se nuk është e vërtetë që ai ka sulmuar lojtarin e Trepçës ’89. Ai kishte mohuar se ka sulmuar lojtarin, ndërsa për rastin tjetër për sjellje josportive ndaj asistenti Granit Hyseni, Leci kishte pranuar se ka kërkuar sqarime për një rast.

“Duke zbrit poshtë, gjyqtarët ngjiten lartë te hapësira e tyre. Unë isha sipër. Te një penalti kam pas dyshime që s’na është dhënë. Anësori ka pa mirë. Kam qenë i frustruar. Duke zbritur, korridori shumë i ngushtë e i kërkova sqarim pse nuk e referove penaltinë. Kjo sa i përket anësorit. E për futbollistin e Trepçës, kam deklaruar se le të del një njeri me incizim që ta shoh se e kam godit. Unë e lë futbollin fare nëse dukem duke e goditur dikë. Kanë qenë 50 vetë, në një korridor të ngushtë. Si mundem në një diferencë 7 metra ta godas”, kishte thënë Leci.