Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës kërkesën që Kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.
Gashi ka thënë se kërkesa po shqyrtohet nga gjykata.
“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, ka thënë Gashi.
Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e cilësoi si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025.
Në thirrjen e Prokurorisë Speciale thuhej se Kryeministri Kurti duhet të paraqitet për intervistim të hënën e 16 dhjetorit në ora 09:30. Mirëpo, ai nuk u paraqit për intervistim. Madje ka kërkuar nga Prokuroria që ta intervistojë në zyrën e tij, e kishte ofruar edhe dy data për këtë.
Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”./Reporteri.net