Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot janë realizuar dy ekstradime drejt Kosovës, njëri nga Mali i Zi dhe tjetri nga Gjermania, në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe njësitet përkatëse policore.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, shtetasi S.M., i ekstraduar nga Mali i Zi, kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar dhe pas përfundimit të procedurave ligjore është dërguar në Qendrën Korrektuese në Prishtinë për vuajtjen e dënimit.

Ndërkaq, shtetasi E.B., i ekstraduar nga Gjermania, gjithashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar. Pas mbërritjes në Kosovë, ai iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për procedura të mëtejshme ligjore.

Reklamë

“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses një ekstradim nga Mali i Zi dhe një tjetër nga Gjermania për në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Me datë 23.10.2026 është ekstraduar nga Mali i Zi për në Kosovë, shtetasi i Kosovës S.M.,  pasi që i njëjti kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë, i përfshirë në veprimtari penale. Pas kompletimit të procedurave ligjore, personi në fjalë është dorëzuar në Qendrën Korrektuese në Prishtinë për fillimin e vuajtjes se dënimit.”.

“Po të njëjtën ditë, është ekstraduar nga Gjermania për në Kosovë, shtetasi i Kosovës E.B., pasi që i njëjti kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë, i përfshirë në veprimtari penale. Pas ekstradimit, i dyshuari u dorëzua njësiteve përkatëse të policisë DRP Prizren për procedura të mëtutjeshme ligjore”.