Drejtori i RTK’së, Rilind Gërvalla, ka shkruar në e-mail’in e Gazetës Online Reporteri.net, pas raportimit të djeshëm se i njëjti ka urdhëruar sigurimin që pesë moderatorët që i largoi nga moderimi ditë më parë, të mos i lejojë të futen në studiot për prezantim.
Gazeta Online Reporteri.net ka publikuar dje një letër ku janë shkruar emrat e këtyre moderatorëve, Jehona Zhitia, Alba Merovci, Arbër Zeka, Fitore Rexhepi dhe Fëllënza Çitaku, që është vendosur në hyrje të RTK’së, tek sigurimi, ku poshtë emrave shkruhet “të larguara nga moderimi në RTK”.
Në email’in drejtuar redaksisë, Gërvalla ka thënë se kjo është e pavërtetë.
“Dje keni përhapë një të pavërtetë duke përdorë emrin tim, fotografinë time dhe të pavërteta, shpifje dhe aludime. Ju lus që ta largoni tërësisht atë artikull, në të kundërtën jam i detyruar të marr masa ligjore!”, ka shkruar Gërvalla.
Penalizimi iu është bërë moderatorëve pas paralajmërimit që Gërvalla u kishte bërë stafit të RTK-së në fillim të muajit mars se nuk kanë të drejtë më të bëjnë reklama në rrjetet e tyre sociale, sepse duhet të ruhet profesionalizmi i televizionit publik.
“Duke marrë parasysh misionin e transmetuesit publik për të ruajtur profesionalizmin dhe besueshmërinë e programeve tona, ju njoftojmë se është marrë vendim për tu ndaluar reklamimi i produkteve, shërbimeve, ose brendeve në rrjetet tuaja sociale. Ky vendim është marrë në përputhje me politikën tonë të ruajtjes së integritetit dhe besueshmërisë të transmetuesit publik, si dhe për të shmanguar çdo ndërlidhje të mundshme mes interesave të jashtme dhe misionit tonë publik”, thuhet në këtë Email të RTK-së, që është publikuar në media.
Gërvalla ua kishte ndaluar të gjithë stafit të RTK që të bëjnë marketing në të gjitha rrjetet e tyre sociale.
“Vendimi vlen për të gjitha platformat e rrjeteve social përfshirë, por pa u kufizuar, në Facebook, Instagram, X, Tik Tok, LinkedIn dhe të tjera, duke garantuar që imazhi dhe misioni i transmetuesit publik të mbeten të paanshme dhe të pavarura nga influencat e jashtme, ashtu siç është e përcaktuar në Ligjin për RTK”, thuhej në shkresën që Gërvalla ua kishte dërguar stafit të RTK.

