×
  • Lajme
  • Botë

    Macron sugjeron ndalimin e investimeve amerikane ndërsa liderët e BE-së dënojnë tarifat e Trumpit

    Reporteri
    04 Prill 2025 | 11:52

    Udhëheqësit evropianë i kanë dënuar tarifat e Donald Trump si “thelbësisht të gabuara” dhe duke krijuar  “vështirësi të mëdha për Evropën”, ndërsa bëjnë apel për negociata për të shmangur një luftë tregtare gjithëpërfshirëse.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se vendimi i Trump për të vendosur tarifa ishte “brutal dhe i pabazuar” dhe dukej se kërkonte pezullimin e investimeve franceze në SHBA derisa tarifat të sqaroheshin.

    “Investimet e ardhshme, investimet e shpallura në javët e fundit, duhet të pezullohen për një kohë për sa kohë që situata me Shtetet e Bashkuara nuk është sqaruar”, tha Macron në një takim të kompanive franceze.

    Duke sugjeruar masa kundër sektorit të teknologjisë amerikane “ku Shtetet e Bashkuara përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga Evropa”, ai shtoi: “Asgjë nuk përjashtohet. Të gjithë elementët janë në tryezë”, raporton The Guardian.

    Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, kritikoi tarifat e Donald Trump, duke thënë se ato bien “në kundërshtim me interesat e miliona qytetarëve në këtë anë të Atlantikut dhe në SHBA, të cilët për fat të keq do të shohin bizneset e tyre dhe fuqinë e tyre blerëse” të prekur nga masat.

    Në një fjalim të formuluar dhe sfidues në Madrid të enjten në mëngjes, Sánchez tha se administrata amerikane nuk bën dallime midis miqve dhe armiqve: “Ajo shkon kundër të gjithëve dhe gjithçkaje”, tha ai.

    Sánchez i përshkroi tarifat si një sulm “të paprecedentë” dhe “të njëanshëm” të SHBA ndaj Evropës, duke shtuar: “Kthimi në proteksionizmin e shekullit të 19-të nuk është një mënyrë e zgjuar për të trajtuar sfidat e shekullit të 21-të”.

    Kancelari në largim i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se vendimi i Trump ishte “thelbësisht i gabuar” dhe “një sulm ndaj një sistemi tregtar që ka krijuar prosperitet në të gjithë botën, në vetvete një arritje amerikane”.

    Kryeministri i Francës, François Bayrou, tha se tarifat ishin “një vështirësi e madhe për Evropën” si dhe “një katastrofë për Shtetet e Bashkuara dhe për qytetarët amerikanë”.

    Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i përshkroi tarifat si “një goditje të madhe për ekonominë botërore” duke thënë se do të kenë pasoja të tmerrsj,e për miliona njerëz. Ajo tha se BE-ja ishte e përgatitur të përgjigjej, por i kërkoi Trumpit të “kalojë nga konfrontimi në negociata”.

    BE-ja pritet të shpallë tarifa hakmarrëse për mallrat e konsumit dhe industriale amerikane – që ka të ngjarë të përfshijnë produkte emblematike si lëngu i portokallit, xhinset dhe motoçikletat Harley-Davidson – në mes të prillit, në përgjigje të tarifave të çelikut dhe aluminit të shpallura më parë nga Trump.

    Blloku nuk i është përgjigjur ende tarifave 25% për makinat e BE-së që hynë në fuqi më 3 prill, as raundit të fundit të tarifave reciproke të shpallura në të ashtuquajturën “ditë të çlirimit” të Trump, të quajtur ndryshe “dita e inflacionit” dhe “dita e pakënaqësisë” nga politikanë të lartë në parlamentin evropian./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!