Turqia ka liruar më shumë se 120 persona më 10 prill, të cilët ishin arrestuar gjatë protestave masive antiqeveritare të mbajtura muajin e kaluar.
Gjykatat në Stamboll kanë liruar me kusht 127 të akuzuar, shumica prej të cilëve studentë të cilët u arrestuan në shtëpitë e tyre më 24 mars, pasi morën pjesë në demonstratat që u nxitën nga burgosja e kryetarit të qytetit, Ekrem Imamoglu.
Imamoglu, që u arrestua më 19 mars nën akuza për korrupsion dhe terrorizëm, shihet si kundërshtari kryesor ndaj sundimit 22-vjeçar të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Burgosja e tij është parë gjerësisht si e motivuar politikisht dhe ka nxitur protesta mbarëkombëtare. Qeveria ka insistuar se gjyqësori në Turqi është i pavarur dhe nuk ndikohet politikisht.
Më shumë se 2.000 persona janë arrestuar për shkak të pjesëmarrjes në protestat më të mëdha që janë organizuar në Turqi për më shumë se një dekadë. Nga ta, afër 300 persona janë në burg dhe po presin gjykimin.
Ata që u liruan të enjten akuzohen se kanë marrë pjesë në protesta të ndaluara. Një gjykatë liroi 102 të akuzuar, shumica nga ta studentë, duke thënë se ata paraqesin rrezik të vogël që të arratisen, por ua kanë ndaluar që të udhëtojnë jashtë vendit. Ndërkaq, një gjykatë tjetër liroi 25 persona me kusht që të raportojnë rregullisht në polici.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.