×
  • Lajme
  • Lajme / Video
    INSTANT

    Agim Bahtiri ia çon një shishe qumështi për fëmijë Paris Gurit, pasi largohet ai ia kthen “e harrove këtu”

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 10:38

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, i është afruar në fillim të seancës deputetit të LDK’së, Paris Gurit, dhe i ka dhënë një shishe qumështi për fëmijë, shkruan Reporteri.net.

    Ky veprim i Bahtirit vjen disa ditë pasi Guri deklaroi se ai vetë do të votonte për Kryeparlamentar vetëm Agim Bahtirin nga VV’ja.

    Në momentin e kapur nga Reporteri.net, shihet se Bahtiri më pas i jep dorën Gurit dhe largohet për në ulësen e tij.

    Guri pastaj i kthehet duke i thënë “e harrove këtu”.

    Në fund, Guri e ka hedhur shishen në koshin e mbeturinave. /Reporteri.net

    “Ka diskutime të vazhdueshme”, Peci konfirmon negociatat me Nismën për t’i siguruar numrat

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 11:09

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka konfirmuar se ka diskutime të vazhdueshme me Nismën Socialdemokrate për t’i siguruar votat për formimin e institucioneve, shkruan Reporteri.net.

    Ai ka thënë se përkrahja e Nismës, do të nënkuptonte krijimin e një shumicë shqiptare.

    “Unë e di që ka diskutime të vazhdueshme. Përkrahja eventuale e Nismës për koalicionin tonë nënkupton që bëhet shumica shqiptare”, ka deklaruar Peci para gazetarëve.

    Ai tha se nëse dështon formimi i institucioneve, opsioni tjetër janë zgjedhjet.

    “Ose i themelojmë institucionet, Kuvendin dhe Qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Peci.

    Zgjedhja e Haxhiut dështoi sërish sot, pasi ajo mori 57 vota nga 61 sa i nevojiten.

    Kundër votuan deputetët e PDK’së, LDK’së dhe një pjesë e atyre të AAK’së, teksa abstenuan deputetët e Nismës/Reporteri.net

     

    Murati: Opsioni i fundit për VV-në janë zgjedhjet, s’lëvizim nga propozimi i Haxhiut për kryeparlamentare

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 10:59

    Deputeti i VV-së, Hekuran Murati pas dështimit për herë të gjashtë radhazi të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë propozimi për një kandidat tjetër do të çonte në një bllokadë të re, ngase pastaj edhe kandidatët për nënkryetarë mund të kontestohen me të njëjtin parim.

    Ai ka thënë se opsioni i fundit për VV-në mbeten zgjedhjet, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Ne kemi propozuar gruan më të votuar në zgjedhjet e fundit. Kjo flet për atë se si si VV jemi përkushtuar që Kuvendit të Kosovës t’ia japin një kryeparlamentare grua. Kjo nuk ndryshon, propozimi ynë mbetet i njëjtë.

    Ne e kemi pa që i kemi 57 vota, e tabori tjetër 46. Situata është e tillë, duhet konsesus politik që mund të arrihet që të dakordohemi edhe për nënkryetarët. Vendi ka Qeveri në detyrë, çka mungon aktualisht është Kuvendi dhe këtu barra bie mbi të gjitha partitë që janë anëtare parlamentare.

    Nuk është qëllimi jonë të shkojmë në zgjedhje. Ai do të ishte opsioni i fundit për neve. Nëse në fund të ditës  deputetët, përfaqësuesit e zgjedhur nga populli refuzojnë të konstituojnë Kuvendin, opsioni i fundit mbetet ai. Ne nuk jemi të interesuar për atë opsion. Opozita nëse kërkon kandidat tjetër, ai nuk është zhbllokim, është kalim në bllokadën e re, ngase kandidatët për kryetarë pastaj mund të kontestohen me të njëjtin parim. Kërkesa jonë është të ketë reflektim”, tha Murati para mediave.  /Reporteri.net/

     

    Duda Balje kthehet në Kuvend pas dy mungesave, s’merr pjesë në votimin për Haxhiun

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 10:50

    Pas mungesës në dy seancat e fundit, Kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU), Duda Balje, është rikthyer në Kuvendin e Kosovës sot për të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive.

    Mirëpo, pavarësisht se ishte në Kuvend, Balje nuk mori pjesë fare në procesin e votimit kur u hodh propozimi për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare Kuvendi, shkruan Reporteri.net.

    Njëjtë ka vepruar edhe në seancën e së shtunës, kur u votua dy herë për këtë propozim.

    Pjesëmarrja e saj në seancën e sotme vjen disa orë pasi nga Lëvizja Vetëvendosje konfirmuan se janë të gatshëm t’i ofrojnë një post ministror.

    “Krejt deputetët i kemi taku, e kemi pranuar me bë edhe ministre Duda Baljen, por unë mendoj që këtu është duke ndodhur diçka për herë të parë, krejt minoritetet iu kanë bashkangjitur qeverisë. Tash mundën me pas vullnet politik deputeti apo deputetja, që unë nuk mundem me paragjyku,” ka deklaruar mbrëmë deputeti i VV’së, Arbër Rexha.

    Zgjedhja e Haxhiut dështoi sërish sot, pasi ajo mori 57 vota nga 61 sa i nevojiten.

    Kundër votuan deputetët e PDK’së, LDK’së dhe një pjesë e atyre të AAK’së, teksa abstenuan deputetët e Nismës./Reporteri.net

    Krasniqi: Kurti po e mban peng shtetin për teket e veta, Albulena Haxhiu nuk kalon

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 10:45

    Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, për herë të gjashtë radhazi ka thënë se partia e parë, Vetëvendosje po e mban peng shtetin.

    Krasniqi ka thënë se kjo situatë është e turpshme. Ai i bëri sërish thirrje VV-së që ta ndërrojë kandidatin për kryeparlamentar.

    “Situatë e pakuptimtë nga ana e VV-së. Kjo është e turpshme që për teke të një personi, një kandidati, një deputeteje me mbetë peng shteti. Kjo është pengmarrje e shtetit të Kosovës për teket e një partie, të një njeriu e një kandidateje.

    Sikur të donin zgjidhje kanë pasë mundësi ta ndërrojnë kandidatin sepse kur nuk e ke shumicën. Problemi është se nuk i kanë numrat për qeverinë dhe fakti që Kurti s’mund të bëhet kryeministër, po e mbajnë peng shtetin. Sikur të kishte qëllim me u zhblloku situata, Kurti e kishte tejkalu këtë problem. Dhje kjo bllokadë duhet të përfundojë. Një gjë është e qartë, Albulena Haxhiu nuk kalon, nuk i kanë votat. Ne mundemi me ardhë edhe 57 herë këtu por nuk e votojmë”, tha Krasniqi para mediave pas përfundimit të seancës. /Reporteri.net/

    Haxhiu dështon të zgjidhet kryeparlamentare për herë të katërt, seanca shtyhet për të dielën

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 10:33

    Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar sërish Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, në përpjekjen e gjashtë për konstituimin e Kuvendit. Zgjedhja e saj ka dështuar sërish.

    Në sallë ishin të pranishëm 119 deputetë. Për votuan 57, 47 kundër dhe tri abstenime.

    Seanca është shtyrë për të dielën, 27 prill, në ora 10:00.

     

    Zemaj: LDK’ja s’e voton Haxhiun

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 10:18

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka përsëritur se partia e tij nuk do ta votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

    “Sigurisht që do të votojmë kundër. Lëvizja Vetëvendosje e ka sjellë vendin në këtë situatë duke u sjellë sikur një parti e cila e ka fituar e vetme vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

    I pyetur nëse LDK-ja ka vullnet për kandidat konsensual, ai tha se “nuk mund të ketë kandidat konsensual derisa arroganca dhe mënyra sesi bën politikë [Vetëvendosje] ose si tenton kapjen e institucioneve… konsensuesi për ndonjë emër të përveç është i pamundur”.

     

    Limaj thotë se s’kanë ndryshuar qëndrim për Haxhiun: Votimi si herën e kaluar

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 10:14

    Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim nga herat e kaluara dhe se as në seancën e sotshme konsituive nuk do ta përkrahë propozimin që Albulena Haxhiu të bëhet kryeparlamentarja e re e Kuvendit të Kosovës.

    “Qëndrimi dhe votimi është ashtu siç ka qenë edhe herën e kaluar”, tha Limaj.

    Në tri votimet e kaluara, Haxhiu ka marrë 57 vota nga 61 sa nevojiten.

    Pavarësisht kësaj, VV s’ka hequr dorë nga ky propozim.

    “Nuk ka ndërruar emri”, ka deklaruar mbrëmë kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari.

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar të votojnë Haxhiun, duke e konsideruar si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do të votojë kundër çdo kandidati që propozon VV’ja./Reporteri.net

    Haradinaj para seancës: S’ka ndryshim as në propozimin e VV’së e as në qëndrimet e partive

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 10:08

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar para vazhdimit të seancës konstituive.

    Haradinaj ka thënë se s’ka ndryshim as në propozimin e Vetëvendosjes për Kryetar Kuvendi, por as qëndrimet e partive që nuk po e votojnë, shkruan Reporteri.net.

    “Me sa kam informata s’ka ndryshim as në kandidatura as në qëndrime të partive të opozitës”, ka deklaruar Haradinaj.

    Ai tha se AAK do të votonte për një kandidat konsensual.

    Haradinaj shtoi se ai ka përmendur dy emra për t’I hapur rrugë procesit.

    “S’kom mendu për shumë të tjerë, por ne i kemi cek dy emra që me hap rrugë, por ka edhe emra tjerë të pranueshëm”, deklaroi ai./Reporteri.net

     

    Gërvalla para seancës: Opozita t’i thërrasin mendjes, qytetarët të ushtrojnë presion ndaj atyre që e bllokojnë Kuvendin

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 10:05

    Deputetja Donika Gërvalla ka bërë një thirrje të çuditshme para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

    Ajo ka kërkuar që qytetarët të bëjnë presion publik ndaj atyre që e bllokojnë Kuvendin. Siç tha ajo “opozita ende nuk është kthjellur dhe nuk e ka të qartë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit”.

    “Ne kemi thënë qartë  që Albulena Haxhiu është kandidatja jonë. Ajo është femra më e votuar në vend. Nuk ka asnjë arsye, asnjë person dhe  grup ta refuzojë votën për të. Jo vetëm personalitet i jashtëzakonshëm, por edhe person që me aktivitetin politik ka dëshmuar përkushtimin e saj për këtë vend. Ky është arsyetim falso ai i vërteti është që opozita nuk duan ta pranojnë vullnetin e qytetarëve të 9 shkurtit. Dihet  fituesi i zgjedhjeve, dihet kujt i takon kryetari i Kuvendit. Nuk është kryetari i k ai që zgjidhet pasi të jenë mbledhur dëshirat e deputetëve.

    Partia fituese e cakton emrin, e propzon edhe votohet kryetari i Kuvendit. Bllokimi i konstituimit të institucioneve që në këtë fazë të hershme, tregon që opozita ende nuk është kthjellur dhe ende nuk e ka të qartë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Deklaratat që i kam dëgju sot nuk janë optimiste, por shpresoj që t’i thërrasin mendjes sepse beteja politike bëhet për Qeverinë.

    I bëj thirrje qytetarëve të ushtrojnë presion publik ndaj atyre që bllokojnë Kuvendin dhe konstituimin e Kuvendit”, tha Gërvalla. /Reporteri.net/

    Nagavci: U bëjmë thirrje partive ta mundësojnë konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 10:01

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje partive parlamentare ta votojnë kandidaten e partisë së saj për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

    Ajo tha se Vetëvendosje nuk e ka “asnjë dyshim” se Haxhiu është kandidatja e duhur.

    “Secila parti ka të drejtë të zgjedhë kandidatët qoftë për kryeparlamentar, qoftë për nënkryetar. Jemi vonë me konstituimin e Kuvendit dhe u bëjmë thirrje të gjitha partive që kanë marrë besimin e qytetarëve ta mundësojnë konstituimin e Kuvendit”, tha Nagavci.

    Murati: Shpresoj që partitë opozitare kanë reflektuar, cilado që bën hapin të ndihmojë konstituimin do të marrë vlerësimin e nevojshëm

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 9:52

    Deputeti i VV-së, Hekuran Murati para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit ka thënë se shpreson që PDK, LDK dhe AAK të kenë reflektuar dhe siç tha ai të zhbllokohet procesi i konstituimit të Kuvendit.

    Murati para mediave ka para mediave ka thënë se cilado parti që bën hapa të ndihmojë në konstituimin e Kuvendit do të marrë vlerësimin e nevojshëm.

    “Gjithçka deri më tani e kemi bërë publike dhe në një vazhdim të radhës të seancës presim që partitë opozitare parlamentare të kenë reflektuar që të zhbllokohet procesi dhe të ecim përpara. Unë mendoj se kjo çka po ndodh nuk është e nevojshme, seanca konstituive  të zgjatet kaq shumë meqenëse janë 120 deputetë, meqenëse ka vullnet të institucioneve, vetëm se ka taktizime të panevojshme.

    Është hera e dytë që opozita bën taktizime të panevojshme. Mendoj që cilado parti që bën hapin të ndihmojë në konstituimin e Kuvendit, sepse siç e kemi është kjo është barrë që u takon të gjithë deputetëve, do të ketë edhe vlerësimin e nevojshëm sepse edhe qytetarët nuk është se po kënaqen duke i pa këto seanca. Ne si VV jemi të përkushtuar që votat që i kemi, 48 vota kemi marrë nga qytetari dhe ato janë në dispozicion që nënkupton edhe votimin për kryetarë dhe nënkryetar”, tha Murati para mediave. /Reporteri.net/

    S’ka takim konsultativ para seancës

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 9:38

    Deputetët do të mblidhen sërish sot, në një përpjekje tjetër për konstituimin e Kuvendit. Seanca konstituive, e nisur që nga 15 prilli, do të vazhdojë sot në orën 10:00.

    Për dallim nga seancat e kaluara, sot nuk do të ketë takim konsultativ. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk e ka thirrur një të tillë.

    Kjo është konfirmuar për Reporteri.net nga deputetja e AAK’së, Time Kadriaj.

    “Jo, nuk kemi asnjë ftesë”, ka deklaruar Kadriaj.

    Në këtë seancë pritet të hidhet sërish në votim propozimi për Kryetare Kuvendi, që nga VV është propozuar emri i Albulena Haxhiut.

    Në tri votimet e kaluara, Haxhiu ka marrë 57 vota nga 61 sa nevojiten.

    Pavarësisht kësaj, VV s’ka hequr dorë nga ky propozim.

    “Nuk ka ndërruar emri”, ka deklaruar mbrëmë kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari.

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar të votojnë Haxhiun, duke e konsideruar si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do të votojë kundër çdo kandidati që propozon VV’ja./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!