Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se synimi kryesor i negociatave me Iranin është “zhbërja e plotë” e programit bërthamor të Teheranit.
Në një intervistë për NBC News më 4 maj, Trump theksoi se kjo do të ishte “e vetmja gjë që do të pranonte”, duke lënë megjithatë të hapur mundësinë që Irani të mbajë një program civil për energji bërthamore.
Presidenti amerikan u shpreh se do ta shqyrtonte këtë mundësi, në përputhje me komentet e mëhershme të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili kishte sugjeruar që Irani mund të operojë reaktorë civilë nëse importon uranium të pasuruar, shkruan Euronews.al.
“Është energji civile, por siç e dini, ajo shpesh çon në luftëra ushtarake. Ne nuk duam që ata të kenë armë bërthamore. Është shumë e thjeshtë”, u shpreh Trumpi.
Ai shtoi se Irani, si një vend i pasur me naftë, nuk ka nevojë reale për energji bërthamore për qëllime elektrike.
“Jam i prirë të them, ‘Për çfarë ju duhet ai? Keni mjaft naftë’,” tha ai.
Komentet e Trumpit janë parë si një refuzim i mundësisë për një version të ri të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, që ai e kishte tërhequr SHBA-në prej saj.
Jason Brodsky, drejtor i politikave në organizatën “United Against Nuclear Iran”, shkroi në rrjetin X se kjo intervistë tregon qartë se administrata nuk është e interesuar për një marrëveshje të re me Iranin.