Ushtria e Izraelitë i ka paralajmëruar njerëzit të martën të largohen nga pjesët përreth aeroportit kryesor të kryeqytetit të Jemenit, Sana.
Ky paralajmërim vjen një ditë pasi ushtria izraelite e goditi portin e Hudejdës si përgjigje ndaj sulmit raketor që rebelët Huthi e kryen në afërsi të aeroportit kryesor të Izraelit.
Tensionet janë përshkallëzuar mes Izraelit dhe rebelëve Huthi të Jemenit, sepse grupi i lidhur me Iranin po vazhdon të kryejë sulme si përgjigje ndaj zgjerimit të operacioneve të Izraelit në Rripin e Gazës.
“Mosevakuimi ju vë në rrezik”, tha ushtria izraelite drejtuar njerëzve në Sana. Ajo e publikoi një hartë të zonës përreth Aeroportit Ndërkombëtar të Sanas.
Izraeli e sulmoi portin e Hudejdës në Jemen të hënën, duke i vrarë katër njerëz dhe duke i plagosur 39 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Huthi.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua për hakmarrje pasi një raketë e lëshuar nga rebelët Huthi ra pranë Aeroportit Ben Gurion të Izraelit.
Sulmoi i detyroi kompanitë ajrore evropiane dhe amerikane t’i pezullojnë fluturimet drejt Tel Avivit për disa ditë.
Rebelët Huthi kanë kryer sulme ndaj Izraelit dhe anijeve në Detin e Kuq që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, siç thonë ata, në shenjë solidariteti me palestinezët.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./REL
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.