×
  • Lajme
  • -->
    Lajme / Ngërçi

    LDK publikon letrën që Abdixhiku ia dërgoi Kurtit, me propozimin për Qeveri të tranzicionit: Të gatshëm ta drejtojmë këtë proces

    Reporteri
    06 Maj 2025 | 20:07

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar letrën e plotë që kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i ka dërguar sot kreut të Vetëvendosjes, njëherit Kryeministër në detyrë, Albin Kurti, si përgjigje për ofertën e tij për të lidhur koalicion.

    Në letër është përfshirë edhe propozimi i Abdixhikut për fillimin e një procesi të ri konsultativ, që parasheh përfshirjen e partive politike parlamentare shqiptare, me qëllim formimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit. LDK është shprehur e gatshme që ta drejtojë këtë proces konsultativ, siç ka thënë, për të zgjidhur krizën aktuale dhe garantuar stabilitetin kombëtar në vend, shkruan Reporteri.net.

    “Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues.”, thuhet në letër.

    Sa i përket ofertës për koalicion, aty specifikohet refuzimi për një gjë të tillë.

    „Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, i ka kthyer përgjigje kryetarit të Lëvizjes Vetëvendojse, z. Albin Kurtit, përmes një letre.  Kryetari Abdixhiku e ka njoftuar z. Kurti se qëndrimet dhe bindjet e LDK-së mbesin konsistente“, thuhet në njoftimin e LDK’së.

    Deri tani vetëm Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën për një takim të tillë.

    Ai i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se është informuar për propozimin e LDK’së dhe se do të diskutojnë e vendosin nesër në Kryesi.

    ”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë. Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”, ka deklaruar Krasniqi për Reporteri.net.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë cilësuar si të papranueshëm këtë propozim, teksa deputetë të kësaj partie janë lëshuar në sulme ndaj LDK’së.

    Propozimi vjen pas ngërçit për krijimin e institucioneve, ku qe 11 herë po dështon konstituimi i Kuvendit. Nesër do të jetë tentativa e 12’të.

    VV’ja ka propozuar për Kryetare Kuvendi Albulena Haxhiun, e cila nuk e ka mbështetjen e partive tjera.

    PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV’së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.

    Vetëvendosje po insiston në emrin e Haxhiu për Kryetare Kuvendi, teksa në dy seancat e fundit ka bërë përpjekje që ta ndryshojë mënyrën e votimit për zgjedhjen e saj, në formë të fshehtë. /Reporteri.

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!