Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar të enjten iniciativën e PDK-së për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Vendimi është marrë në mbledhjen e katërt elektronike të Qeverisë, të mbajtur më 2 tetor 2026, dhe në të thuhet se nuk ka pengesa ligjore që propozim-ndryshimi të procedohet në Kuvend.

Pas këtij vendimi kanë reaguar deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët e kanë mirëpritur vendimin e ekzekutivit, duke thënë se UÇK-ja duhet të na bashkojë dhe se tash përgjegjësia është te Kuvendi dhe te secili deputet, shkruan Reporteri.net.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se UÇK-ja duhet të na bashkojë.

Reklamë

“Siç e kam thënë përherë, UÇK-ja duhet të na bashkojë! Prandaj, çdo çështje që lidhet me të, duhet të trajtohet me përgjegjësi, sinqeritet dhe korrektësi maksimale”.

“Pa kalkulime politike. Pa interesa të ngushta. Pa përçarje. Në çështjet që prekin themelet e lirisë sonë, duhet të jemi bashkë”, tha Tahiri në një postim në Facebook.

Edhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë me ç’rast ka deklaruar se UÇK-ja është më e madhe se një cikël zgjedhor, një qeveri apo interesat e një partie.

‘’UÇK është pakrahasimisht më e madhe se një cikël zgjedhor. Më e madhe se një qeveri. Më e madhe se çdo interes partiak. Është nder për ne që na ra hise ta mbrojmë veprën e UÇK-së, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës’’, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Ka reaguar edhe deputetja Ariana Musliu-Shoshi, e cila thotë se pas vendimit të Qeverisë tani radha është e Kuvendit dhe procedura duhet të nisë sot duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve.

Reklamë

“Kosova duhet të flasë dhe të veprojë me një zë. Dërgimi nga Qeveria në Kuvend i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara është një hap i rëndësishëm. Tani është radha e Kuvendit.
Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve. Paralelisht, Kosovës i duhet një strategji e koordinuar juridike dhe diplomatike, me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe për mbrojtjen e së vërtetës për luftën çlirimtare të UÇK-së.
Nëse vendi shkon në zgjedhje pa e përfunduar këtë proces, rrezikojmë ta pamundësojmë mbështetjen institucionale që ua kemi borxh çlirimtarëve, gjakut të derdhur dhe ëndrrës sonë për liri. Kjo çështje është mbi partitë dhe mbi kalkulimet politike. Këtu nuk ka pozitë e opozitë. Ka interes shtetëror”, ka shkruar Musliu-Shoshi në Facebook.

Përmes një postimi në Facebook ka reaguar edhe deputetja Ganimete Musliu ka thënë se deri në orën 12:00 duhet të dihet nëse Kuvendi do ta kryejë përgjegjësinë e tij apo do ta mbajë peng këtë proces.

“Tani duhet të fillojë numërimi mbrapsht për Kuvendin. Më së largu deri në orën 12:00, Kuvendi duhet ta trajtojë Ligjin në të gjitha komisionet përkatëse dhe ta kalojë në lexim të parë. Nuk ka më kohë për zvarritje, arsyetime apo kalkulime politike. Deri në orën 12:00 duhet të dihet nëse Kuvendi do ta kryejë përgjegjësinë e tij apo do ta mbajë peng këtë proces. Ora po ecën. Tash është radha e Kuvendit të veprojë”, ka shkruar ajo.

Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Eman Rrahmani ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndryshimet në Ligjin Gjykatën Speciale, duke thënë se protesta e dha efektin te qeveria, dhe se tani presioni duhet të jetë te Kuvendi.

Reklamë

“Protesta e dha efektin te Qeveria! Ajo u dorëzua! Tash, protesta duhet ta drejtojë presionin te Kuvendi dhe te secili deputet, që ligji të sillet sa më parë në Kuvend, madje qysh nesër (sot), dhe të hidhet në votim. Unë do të votoj PËR! Do të jetë vota me peshën më të madhe të ndërgjegjes që kam dhënë gjatë katër mandateve të mia si deputet. Tash përgjegjësia është te Kuvendi dhe te secili deputet!”, ka shkruar të premten mbrëma Rrahmani në Facebook.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten opinionin lidhur me iniciativën e PDK-së për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Vendimi është marrë në mbledhjen e katërt elektronike të Qeverisë, të mbajtur më 2 tetor 2026, dhe në të thuhet se nuk ka pengesa ligjore që propozim-ndryshimi të procedohet në Kuvend.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot.1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për “Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, për të dhënë vlerësimin që përfshin: opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Reklamë

Vendimi tash i përcillet Kuvendit të Kosovës në kuadër të procedurës për shqyrtimin e kësaj nisme legjislative.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 1108, të datës 23 shtator 2026, vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për Nismën për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në vendimin e Qeverisë. /Reporteri.net/.

 

 

Reklamë