Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka mbrojtur propozimin e tij për krijimin e një qeverie të tranzicionit, për dalje nga ngërçi i krijuar.
Abdixhiku ka thënë se ideja e LDK’së mund të mos jetë më e mira, por se aktualisht është e vetmja në tavolinë dhe gjithpërfshirëse, shkruan Reporteri.net.
“Është mirë që askush të mos flas për votat e LDK-së. Askush në Kosovë nuk e ka shumicën. Kemi dalur me propozim të hapur, ftesë të hapur, të ulemi e të kapërcejmë këtë gjendje. Nëse janë të gatshëm këtu jemi, nëse nuk janë të gatshëm vijmë këtu çdo 48 orë. Natyrisht se po, kemi bërë thirrje për gjithëpërfshirje. Bënë të marrë iniciativë edhe dikush tjetër. Çka po bëjmë pas gjendjes së tanishme. Ideja jonë mund të mos jetë më e mira, por është e vetmja në tavolinë, gjithëpërfshirëse”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se askush nuk e ka shumicën në Kosovë dhe se meqë asnjëra parti nuk e ka shumicën është mirë të ulen bashkë e të gjejnë një zgjidhje. Ai konfirmoi se do të marrin pjesë kur të ftohet takimi gjithëpërfshirës nga presidentja Vjosa Osmani, duke theksuar se ftesa është vazhdimësi e idesë së LDK-së.
“LDK-ja e ka thënë një iniciativë, jo për protagonizëm, nëse duan ta bëjnë një organizim të tillë le ta bëjnë, përfshirë edhe presidenten. Thelbësore është për çka po takohemi, për të dhënë zgjidhje, apo për ta vazhduar këtë cirk. Partitë qëndrojnë në pozicione që na sjellin çdo 48 orë, por ndonëse dua t’i kuptoj pozicionet e tyre janë dëshirore. Askush nuk e ka shumicën në Kosovë, e meqenëse askush nuk e ka, le të ulemi. Ne kemi bërë një propozim, nëse partitë nuk e dojnë, le të vazhdojnë të mblidhen e të tallen me qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Pro një takimi janë shprehur PDK dhe AAK, por që të dy këto parti kanë thënë se preferojnë më shumë një “qeveri të opozitës”.
Pas mbledhjes së Kryesisë të mërkurën, PDK ka lëshuar komunikatë ku ka thënë se nuk do të shmangen nga asnjë takim që mund të çojë në zhbllokim të situatës, por preferenca e tyre është një qeveri e formuar nga partitë që derivonë ishin në opozitë.
Por, takimi thotë se duhet të thirret nga Presidentja,, duke shtuar se një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale.
“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”, thuhet në komunikatë.
Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën e Abdixhikut për takim ditën kur ai e bëri publik propozimin. Edhe ai, tha se angazhohet për “qeveri të opozitës”.
Mirëpo, ka deklaruar se ai nuk do të pranonte të marrte pjesë në një takim konsultativ për qeveri tranzicionale nëse në tavolinë është edhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Ftesa për konsultë nuk ka gjë të keqe. Nuk ndryshon qëndrimi sa i përket qeverisë së opozitës, por po ashtu nuk na pengon ftesa e LDK-së për konsulta”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se do të pranonte takime bilaterale me LDK-në apo trilaterale me LDK-në dhe PDK-në.
Nga VV propozimi është cilësuar “jo serioz”.
Deputeti i VV’së, Hekuran Murati, tha se LDK-ja me propozimin e saj për qeveri të tranzicionit po sillet si në kohën e UNMIK-ut.
Sipas tij, opozita ka mbetur pa një zgjidhje tjetër dhe propozimin për një qeveri transicionale e ka nxjerr si kartën e fundit./Reporteri.net