José Mujica, ish-presidenti uruguaian, ish-guerilas dhe figurë e njohur ndërkombëtarisht për stilin e tij modest të jetesës dhe reformat liberale, vdiq në moshën 89 vjeç, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Lajmin e bëri të ditur presidenti aktual i Uruguait.
“Me trishtim të thellë njoftojmë vdekjen e mikut tonë Pepe Mujica”, njoftoi Presidenti i Uruguait, Yamandu Orsi, në Platformën X. “Faleminderit për gjithçka që na keni dhënë dhe për dashurinë tuaj të thellë për popullin tuaj”, shkroi ai.
Con profundo dolor comunicamos que falleció nuestro compañero Pepe Mujica. Presidente, militante, referente y conductor. Te vamos a extrañar mucho Viejo querido. Gracias por todo lo que nos diste y por tu profundo amor por tu pueblo.
— Yamandú Orsi (@OrsiYamandu) May 13, 2025
Stil modest, ndryshime të mëdha
Mujica, i njohur midis uruguajanëve thjesht si “Pepe”, ishte president nga viti 2010 deri në vitin 2015. Gjatë mandatit të tij, ai mbështeti politikat liberale: ai nënshkroi ligjin për martesën e të njëjtit seks dhe legalizimin e abortit në shtatzëninë e hershme, dhe mbështeti një propozim për legalizimin e shitjes së marijuanës – lëvizje që ishin jashtëzakonisht të rralla në botë në atë kohë, veçanërisht në Amerikën Latine katolike.
Ai refuzoi të zhvendosej në rezidencën zyrtare presidenciale dhe vazhdoi të jetonte në një pronë të vogël në periferi të Montevideos, ku kultivonte lule. Ai njihej për mbajtjen e veturës Volkswagen Beetle të vjetër dhe për darka në restorantet lokale, pa veshur kostum dhe kravatë.
Në një intervistë në maj 2024 me Reuters nga shtëpia e tij modeste, të cilën e ndau me gruan dhe ish-senatoren e tij Lucia Topolansky, ai tha se Beetle ishte ende “në gjendje fenomenale”, por se ai preferonte traktorin . “Është më argëtues”, kishte thënë ai.
Nga burgu në pallatin presidencial
Mujica lindi në vitin 1935, megjithëse ai pretendoi se kishte një gabim dhe se në fakt kishte lindur një vit më parë. Ai u rrit në varfëri dhe, pas vdekjes së të atit, e ndihmoi të ëmën në fermën familjare.
Në rininë e tij, ai u bashkua me grupin gueril marksist Tupamarosi, i cili luftoi kundër qeverisë konservatore uruguaiane. Në përleshjet me ushtrinë, ai u plagos gjashtë herë dhe kaloi gati 15 vjet në burg, kryesisht në izolim, duke mbijetuar në qeli nëntokësore pa dritë ose kontakt me njerëzit. Ai arriti të arratisej dy herë, përfshirë edhe arratisjen përmes një tuneli.
Pas rikthimit të demokracisë në vitin 1985, ai u lirua dhe u rikthye në politikë. Ai ishte Ministër i Bujqësisë dhe më pas u zgjodh president me 52 përqind të votave, pavarësisht shqetësimeve për të kaluarën dhe moshën e tij – ai ishte 74 vjeç.
Me gruan e tij, e cila ishte gjithashtu partnerja e tij politike që nga koha e Tupamaros, ai mbeti politikisht aktiv edhe pas mandatit të tij presidencial. Ata mbështetën kandidatët e krahut të majtë, përfshirë Presidentin Orsi, i cili mori detyrën në mars të vitit 2025, raporton Reuters./Reporteri.net/