×
  • Lajme
  • Botë

    Ca bukë e ushqim foshnjash mbërrin në Gazë, palestinezët kërkojnë më shumë

    Reporteri
    22 Maj 2025 | 13:01

    Furnizimet me miell dhe ushqim do të fillojnë të mbërrijnë të enjten te disa nga banorët më të prekur në Rripin e Gazës, pasi Izraeli lejoi hyrjen e më shumë kamionëve me ndihma.

    Megjithatë, këto furnizime nuk do t’i mbulojnë aspak mungesat e shkaktuara nga bllokada 11-javore, kanë thënë zyrtarët palestinezë.

    Izraeli tha se i lejoi 100 kamionë, të mbushur gjithashtu me ushqim për foshnja dhe pajisje mjekësore, të futen në Gazë të mërkurën, dy ditë pasi njoftoi se i kishte lehtësuar kufizimet si rrjedhojë e trysnisë ndërkombëtare.

    Izraeli e vendosi në mars bllokadën ndaj të gjitha furnizimeve, duke thënë se Hamasi po i merrte dërgesat për t’i përdorur për luftëtarët e vet.

    Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka mohuar akuzat e Izraelit.

    OKB-ja tha se një e katërta e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh është në rrezik urie.

    “Disa furra buke do të fillojnë të marrin miell për të gatuar bukë dhe presim që shpërndarja e bukës të nisë më vonë sot”, tha për Reuters Amjad al-Shawa, drejtori i Rrjetit të Organizatat Joqeveritare Palestineze në Gazë.

    Ai tha se vetëm 90 kamionë kishin arritur të hynin. “Gjatë armëpushimit hynin 600 kamionë çdo ditë, që do të thotë se sasia e tanishme është një pikë në oqean, pra asgjë”, tha ai.

    Furrat e mbështetura nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së do të gatuajnë bukën dhe stafi i agjencisë do ta shpërndajë atë. Kjo do të bëhet në mënyrë më të kontrolluar sesa më parë, kur bukëpjekësit e shisnin bukën drejtpërdrejt tek banorët me çmim të ulët, shtoi ai.

    “Ideja është të përpiqemi të arrijmë tek familjet më në nevojë, ato që janë në gjendje dëshpëruese, pasi kjo është vetëm fillimi”, tha Shawa.

    Derisa ndihmat e para mbërritën pas bllokadës, sulmet ajrore izraelite në Gazë vranë të paktën 35 palestinezë në të gjithë enklavën të enjten, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

    Ushtria izraelite nuk i ka komentuar ende këto raportime.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të mërkurën se Izraeli do të ishte i hapur për armëpushim të përkohshëm për ta mundësuar kthimin e pengjeve izraelite nga Gaza. Por, ai tha se, nëse ato nuk kthehen, Izraeli do ta vazhdojë fushatën ushtarake për ta marrë kontrollin e plotë të Gazës.

    Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 59 pengje mbeten në Gaza, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.

    Prej atëherë, lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 53.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!