Një gjykatë në Vjenë e shpalli sot të pafajshëm ish-kancelarin austriak Sebastian Kurz për akuzat e dhënies së deklaratave të rreme para një komisioni parlamentar që hetonte korrupsionin në qeverinë e tij. Ky vendim rrëzoi një dënim të mëparshëm të vitit 2024, i cili i kishte dhënë Kurz-it një dënim me kusht prej tetë muajsh.
Çështja kishte të bënte me dëshminë e Kurz-it në vitin 2020 lidhur me krijimin e kompanisë shtetërore OeBAG dhe emërimin e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Thomas Schmid, në krye të saj, përcjell gazeta online raportimin e AP-së. Ndërsa më parë ishte shpallur fajtor për deklarata të rreme rreth përzgjedhjes së bordit mbikëqyrës të kompanisë, gjykata e apelit vendosi se nuk ishin përmbushur kriteret për dëshmi të rreme, raporton Associated Press.
Kurz mirëpriti vendimin, duke theksuar se gjithmonë kishte vepruar me ndershmëri. Megjithatë, gjykata la në fuqi një dënim me kusht prej gjashtë muajsh për shefin e tij të mëparshëm të kabinetit, Bernhard Bonelli, për dhënie të deklaratave të rreme në lidhje me përzgjedhjen e anëtarëve të bordit mbikëqyrës të OeBAG.
Sebastian Kurz, një figurë e njohur konservatore që u bë kancelar në moshën 31-vjeçare, udhëhoqi koalicione me partitë e djathta ekstreme dhe më pas me partitë e gjelbra. Ai dha dorëheqjen në vitin 2021 mes një hetimi të veçantë për ryshfet, të cilin gjithashtu e mohon. Megjithëse është larguar nga politika, spekulimet për një rikthim të mundshëm vazhdojnë.