×
  • Lajme
  • Lajme / Krijimi i institucioneve

    Bajrami: Dy deputetë të LDK’së janë kontaktuar nga VV për vota, kanë refuzuar takimet

    Reporteri
    26 Maj 2025 | 21:11

    Nënkryetarja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se dy deputetë të kësaj partie janë kontaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në kërkim të votave, shkruan Reporteri.net.

    Bajrami nuk pranoi të tregonte emrat e deputetëve, por vetëm zbuloi se ata e kanë zbuluar këtë në grupin parlamentar.

    Sipas asaj që deklaroi Bajrami, që të dy deputetët kanë refuzuar takime për këtë çështje.

    “Kam dëgjuar dy deputetë që në Grupin Parlamentar kanë tregu që janë kontaktuar nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje për të kërkuar votat ose për të kërkuar takime për të biseduar me ta. Nuk mund ta them sepse konsideroj që duhet ta thonë ata, nëse e konsiderojnë që është e nevojshme. Në grup parlamentar kanë thënë se janë kontaktuar dhe nuk kanë shkuar në takim”, ka deklaruar Bajrami në T7.

    Po sot, deputeti i Vetëvendosjes, Haxhi Avdyli, deklaroi se deputetë të veçantë u kanë dhënë sinjale se do ta votonin Qeverinë.

    Këtu ai përmendi edhe një deklaratë të Nënkryetarit të LDK’së, Lutfi Haziri.

    “Ka deputetë të vecantë që na kanë dhanë sinjale, në kuptimin që nëse vjen puna për një votë, nuk do ta cojmë vendin në zgjedhje. z.Haziri e ka thanë që nëse i keni 60 vota, votën 61 llogaritne”, deklaroi Avdyli.

    Ai ka deklaruar se sa i përket konstituimit të Kuvendit, kjo javë do të jetë me lajme të mira.

    “Ka lëvizje pozitive edhe nga Fatmir Limaj, ka edhe lëvizje pozitive nga deputetë të veçantë. Unë mund të flas vetëm atë publikisht që ka thënë, Lutfi Haziri i cili ka thënë që nëse i kanë 60 vota, vota ime është 61, ndërsa për dy deputetë të cilët unë i di që e kanë thënë të njëjtën gjë, nuk mund t’i përmend”, është shprehur ai në Klan Kosova.

    Nesër do të bëhet përpjekja e 22’të për konstituimin e Kuvendit. E propozuara e VV’së vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu, e cila kundërshtohet nga partitë e tjera./Reporteri.net

    Konstituimi i Kuvendit, Haxhi Avdyli: Ka lëvizje pozitive nga Fatmir Limaj dhe nga deputetë të veçantë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!