Elon Musk ka njoftuar se po largohet nga administrata e Donald Trump, ku drejtonte zyrën e shkurtimit të qeverisë amerikane. Gjatë mandatit të tij, qindra mijëra punonjës u pushuan nga puna ose u caktuan në vende të tjera pune.
Në një postim në platformën e tij X, njeriu më i pasur në botë falënderoi Trump për mundësinë për të drejtuar Zyrën e sapokrijuar të Efikasitetit të Qeverisë, e njohur me akronimin DOGE.
Sipas BBC-së, Shtëpia e Bardhë të mërkurën në mbrëmje filloi procesin formal të largimit të tij nga pozicioni i “punonjësit special qeveritar”, i cili i lejonte atij të kryente punë federale deri në 130 ditë në vit.
Pozicioni i Muskut ishte i përkohshëm dhe largimi i tij pritej, por koha është e rëndësishme sepse vjen një ditë pasi ai kritikoi publikisht një projekt të madh legjislativ të administratës Trump.
“Ndërsa mandati im si punonjës i posaçëm qeveritar skadon, dua të falënderoj Presidentin Trump për mundësinë për të ulur shpenzimet e panevojshme”, shkroi Musk në X.
“Misioni i DOGE-it do të bëhet vetëm më i fortë me kalimin e kohës, ndërsa bëhet një mënyrë jetese në të gjithë qeverinë”, shtoi ai.
Musk më parë tha se ishte i zhgënjyer me propozimin e buxhetit të Trump, i cili përfshin ulje taksash prej disa trilionë dollarësh dhe rritje të shpenzimeve ushtarake.
Në një intervistë me CBS, ai tha se i ashtuquajturi “ligj i madh dhe i bukur”, siç e quan Trump, do të rrisë deficitin buxhetor dhe do të minojë punën e DOGE. /Reporteri.net/