Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 27-vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku ka vlerësuar punën dhe zhvillimin e këtij institucioni, duke theksuar rëndësinë e sigurisë, rehabilitimit dhe respektimit të të drejtave të personave të burgosur.
Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se Shërbimi Korrektues ka shënuar përparim në profesionalizimin e stafit, avancimin e legjislacionit, modernizimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e programeve të rehabilitimit e risocializimit.
“Gjatë këtyre viteve, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar përparim të rëndësishëm në profesionalizimin e stafit, avancimin e legjislacionit, modernizimin e infrastrukturës, forcimin e sigurisë dhe zgjerimin e programeve të rehabilitimit dhe të risocializimit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se personat e burgosur, ndonëse e humbin lirinë, nuk i humbin të drejtat e tyre.
“Burgu nuk është i mirë, por është i domosdoshëm për ta mbrojtur shoqërinë, pa harruar asnjëherë që i burgosuri ose i paraburgosuri e humbet lirinë, por asnjëherë të drejtat, të cilat mbrohen e respektohen nga të gjithë ne”, ka thënë kryeministri.
Kurti ka përmendur edhe disa nga projektet e realizuara në kuadër të sistemit korrektues, përfshirë ndërtimin e Shtëpisë së Nënave në Qendrën Korrektuese për Gra në Lipjan, zgjerimin e kapaciteteve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë dhe përshtatjen e Burgut të Gjilanit në kuadër të marrëveshjes me Mbretërinë e Danimarkës.
Ai ka veçuar edhe themelimin e institucionit për trajtimin e personave të burgosur me nevoja të veçanta, me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës Amerikane, si dhe investimet në teknologji dhe sistemet e video-mbikëqyrjes e video-konferencave.
Kryeministri ka bërë të ditur se qindra zyrtarë të rinj i janë bashkuar Shërbimit Korrektues, ndërsa shumë të tjerë kanë përfituar nga trajnimet dhe programet profesionale.
Duke folur për rëndësinë e rehabilitimit, Kurti ka thënë se suksesi i sistemit korrektues nuk duhet të matet vetëm me ndëshkimet, por edhe me parandalimin e rikthimit të personave të dënuar në vepra penale.
“Një sistem korrektues nuk matet vetëm me sigurinë që ofron. Ai matet edhe me mundësitë që krijon për ndryshim”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë Shërbimin Korrektues në ngritjen e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e kushteve të punës, modernizimin e infrastrukturës dhe avancimin e programeve rehabilituese.
Në vitin 2025, Shërbimi Korrektues i Kosovës ishte nderuar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Institucioneve Korrektuese dhe Burgjeve (ICPA) me çmimin e ekselencës në fushën e kujdesit shëndetësor korrektues, për projektin “Comprehensive Care and Rehabilitation”.
Po ashtu, projekti “Art from Prison: Turning Prison into Opportunity” ishte përzgjedhur ndër pesë iniciativat më të mira në kuadër të çmimit të EuroPris për burgjet.