Lëvizja Vetëvendosje e ka konfirmuar se Shemsi Bahtiri, që u arrestua dje në aksionin e Policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar në vend, që raportohet të jetë “bossi” i grupit, ka qenë aktivist i saj, teksa ka thënë se ka marrë vendim për përjashtimin e tij, shkruan Reporteri.net.
Bahtirit i dolën foto mbrëmë ku shihej se shoqërohej me Ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe deputetin e VV’së, Adnan Rrustemin. Në njoftim thuhet se ky vendim qendron në fuqi deri në sqarimin e verifikimin e plotë nëse bëhet fjalë për personin e njëjtë me atë të organeve të drejtësisë.
“…pas këtij informacioni ne menjëherë kemi verifikuar emrin për të parë nëse i njëjti ekziston në databazën tonë. Në këtë mënyrë, për korrektësi, në përputhje me Statutin dhe rregullat e brendshme, Komisioni ynë disiplinor ka marrë vendim për largimin e personit me emrin e njëjtë. Ky vendim qendron në fuqi deri në sqarimin e verifikimin e plotë nëse bëhet fjalë për personin e njëjtë me atë të organeve të drejtësisë.
“Ndonëse nga Prokuroria apo Policia nuk kemi parë asnjë informatë zyrtare me të dhënat personale të të arrestuarve”, thuhet në reagimin e VV’së.
Bahtiri kishte marrë pjesë në shumë aktivitet të kësaj partie. Në mesin e tyre edhe në aksionin e atëhershëm të LVV-së kundër kryeprokurorit Lumezi.
Bahtiri shfaqet si anëtar në Pikën Medrese të kësaj partie në Prishtinë.
Në një foto tjetër ai shihet së bashku me anëtarët tjerë të kësaj partie duke u moblizuar kundër ish-kryeprokurorit Lumezi.
Sipas Prokurorisë Speciale, aksioni u zhvillua pas hetimeve disa mujore dhe përfshiu 47 lokacione në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjilan, ku u sekuestruan lëndë narkotike, 129 vetura, 134,900 euro para të gatshme, 20,000 franga zvicerane, para të falsifikuara, arma të ndryshme, orë luksoze, si dhe teknologji e përdorur për komunikim të koduar përmes aplikacionit “SkyECC”.
Operacioni u mbështet nga autoritetet belge, holandeze dhe Europol-i, ndërsa udhëhiqej nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Urdhër-kontrolle të gjera u shtrinë në pronat dhe llogaritë bankare të të dyshuarve, duke përfshirë edhe ngrirjen e 400,000 eurove dhe bllokimin e pasurive të paluajtshme.
“Në aksion kanë marrë pjesë rreth 600 zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët në mënyrë të koordinuar kanë asistuar në bastisjen e 47 lokacioneve, dhe arrestimin e personave të dyshuar. Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 129 vetura, 134 e 900 mijë para të gatshme, 20 mijë e 40 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1569 fishekë të ndryshëm, 1292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme.”, thuhet tutje në njoftim.
Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 400 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast.
“Operacioni i koduar “Qielli i Thyer”, është përkrahur nga autoritetet e Belgjikës, Holandës, Europol-it, dhe është udhëhequr nga Prokurori i PSRK-së, i cili ka qenë prezent gjatë realizimi të urdhër kontrollit. Ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që janë marrë me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave dhe formave të tjera të krimit të organizuar. Prokurorët e Prokurorisë Speciale, në koordinim të plotë me hetuesit policorë kanë qenë të përkushtuar në vazhdimësi për shkatërrimin e këtij grupi të organizuar kriminal. PSRK, dhe Policia e Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës, se asnjë aktivitet kriminal nuk do të tolerohet në komunitetin tonë, duke theksuar angazhimin në luftimin dhe parandalimin e këtyre veprave penale, dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që e shkelin ligjin.”, përfundon komunikata.