Përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar sot para Kuvendit si shenjë pakënaqësie me bllokadën mbi dy muaj në Kuvend, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se situata ka kaluar të gjithë kufijtë e normalës, dhe se deputetëve nuk po u bëhet vonë.
Sipas tij, Kuvendi është shndërruar në cirk, por që pagat për dy minuta punë po ju ecin deputetëve.
“Kjo situatë kjo i ka kaluar të gjithë kufijtë e normales dhe është bërë boll. Të vetmëve që nuk po u bëhet vonë janë deputetët e Kuvendit. Me papërgjegjësi po e trajtojnë situatën aktuale si të zakonshme, ndonëse nuk është e tillë. Kuvendi është shndërruar në një cirk, ku çdo 48 orë mblidhen për pak minuta punë, ndonëse pagat po ju ecin”, tha ai.
Ai shpreson se deputetët do t’i arrijnë një marrëveshje politike, ndërsa shtoi se as Gjykata Kushtetuese s’ka për ta zgjidhur këtë ngërç, pasi siç tha ai mungon vullneti politik.
“Besojmë që është koha e fundit që deputetët ti thërrasin arsyes dhe të njëjtit të arrijnë të kenë një marrëveshje politike e cila është përgjegjësi e partisë fituese në mënyrë që kjo krizë të marrë fund.
“Qëndrimi jonë është që as Gjykata Kushtetutese nuk mund ta zgjidh këtë ngërç, pasi problemi është mungesa e vullnetit politik. Edhe po të ketë vendim të Gjykatës, prap do duhet që deputetët të tregojnë vullnet politik për të tejkaluar inatet e tyre e që barrën e kanë liderët e partive poltike”, tha ai.
/Reporteri.net/