Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se të martën pasdite do të bëhet vendosja e gurthemeleve për dy urat mbi lumin Ibër, shkruan Reporteri.net.
Sipas njoftimit të ZKM-së, vendosja e gurthemelit të urës për kalimin e veturave mbi lumin Ibër do të bëhet në ora 17:00, ndërsa ajo për kalimin e këmbësorëve do të bëhet në ora 17:30.
Siç njofton ZKM, i pranishëm do të jetë edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i cili ndodhet në Shkup për të marrë pjesë në Samitin për Planin e Rritjes bashkë me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu, bashkë me Kurtin do të jenë edhe kryetari Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëherësh Kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave, Elbert Krasniqi, dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe atë të Veriut për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, ku theksohej se ky projekt ka për qëllim të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve të të dy komunave dhe të shërbejë si infrastrukturë në komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre.
/Reporteri.net/