Mbi lumin Ibër sot ka nisur ndërtimi i dy urave të reja, për këmbësorë dhe automjete. Gurthemeli është vënë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu. Por, sa do të kushtojë ndërtimi i tyre?
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës në faqen zyrtare të prokurimit publik, kostoja e këtij projekti është gati 3 milionë euro, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kontrata është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, ku është negociuar me pesë kompani.
Oferta më e ulët ka qenë 2 milionë e 890 mijë e 106 euro, teksa më e larta 3 milionë e 420 mijë e 764 euro.
Pas negocimit, me kontratë është shpërblyer kompania “Eurokos Holding SH.P.K”, që ka ofertuar me çmim në vlerë 2 milionë e 999 mijë e 628 euro, që ka qenë e dyta në renditje nga çmimi më i ulët.
Kompania me çmimin më të ulët është eliminuar për mospërmbushje të kritereve.
Kohëzgjatja e kontratës është për 4 muaj.
Kontrata është dhënë më 30 qershor, teksa nënshkrimi i saj është bërë sot.
“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në njoftim./Reporteri.net