×
  • Lajme
  • Lajme / Vënia e gurthemeleve

    Kurti thotë se dy urat e reja mbi Ibër përfundojnë në vjeshtë, jep detaje rreth projektit

    Reporteri
    01 Korrik 2025 | 20:39

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar lidhur me projektin për dy urat e reja mbi lumin Ibër, gurthemelet e të cilave u vunë sot. Sipas tij, punimet për këto ura pritet të përfundojnë në vjeshtë, shkruan Reporteri.net.

    Kurti ka bërë me dije se njëra urë do të jetë për kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve, me gjatësi 51 metra dhe gjerësi 10 metra, teksa tjetra do të shërbëjë veç për këmbësorët, me gjatësi 41 metra dhe gjerësi 37.

    “77 ura janë gjithsej përgjatë lumit Ibër. Prej tyre 35 janë në Kosovë. Në vjeshtë bëhen 37, sepse punimet për ndërtimin e dy urave të reja nisën sot në Mitrovicë…Këto dy projekte janë rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe dy komunave të qytetit të Mitrovicës. Vlera e tyre totale është shumë afër 3 milionë eurove”, ka shkruar Kurti.

    I pyetur  sot nëse ka pasur dakordim me Bashkimin Evropian për këtë projekt, Kurti tha se ata që kanë dilema mund ta kontaktojnë për shpjegime, pasi siç tha ai gjithçka po bëhet në përputhje me ligjin.

    “Unë jam Kryeministër i Republikës së Kosovës, këta janë ministra e kryetarë komunash, dhe ne gjithçka që bëjmë është në përputhje me planet tona, sipas ligjit dhe gjithashtu për të mirën e qytetarëve. Ata që kanë dilema lirisht mund të na kontaktojnë dhe t’ua shpjegojmë.

    Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës në faqen zyrtare të prokurimit publik, kostoja e këtij projekti është gati 3 milionë euro.

    Kontrata është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, ku është negociuar me pesë kompani./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!