×
  • Lajme
  • Fokus 3 / Reagimi

    Çitaku: Albin Kurti po i shërben me vetëdije Prokurorisë së Hagës duke sulmuar Thaçin e Veselin

    Reporteri
    02 Korrik 2025 | 22:44

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë se me vetëdije po e ndihmon Prokurorinë e Hagës kundër figurave kyçe të UÇK-së, përkatësisht Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

    Sipas saj, Kurti ka shkuar aq larg sa të akuzojë vizitat ndaj të akuzuarve si “marrje instruksionesh”, çka ajo e cilëson si një sulm të qëllimshëm dhe pjesë e një fushate të vazhdueshme për përbaltjen e atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

    “Nuk është as politikë, as rastësi. Është qëllim i pastër,” ka shkruar Çitaku, duke shtuar se Kurti nuk e kupton konceptin e marrëdhënieve miqësore, sepse, sipas saj, “nuk ka as edhe një mik të vetëm”.

    Ajo ka akuzuar Kurtin se sundon partinë e tij në mënyrë autoritare, ku nuk lejohet mendim ndryshe dhe se zëri i vetëm që dëgjohet është ai i tij. Në kundërpeshë, ajo vlerësoi PDK-në si një subjekt ku ekziston mendimi kritik, debati dhe demokracia e brendshme.

    Duke iu përgjigjur pretendimeve të Kurtit rreth udhëheqjes së PDK-së, Çitaku theksoi qartë se “kryetar e kemi Memli Krasniqin”, një lider që, sipas saj, gëzon legjitimitet dhe respekt të plotë.

    “Ti vazhdo qaj e vajto, se për rezultate nuk ke çka flet,” përfundon reagimin e saj ne Facebook, Vlora Çitaku, duke i hedhur akuza të drejtpërdrejta kryeministrit Kurti për mungesë të arritjeve konkrete gjatë qeverisjes së tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!