Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Argjen Gashi ka dhënë dorëheqjen nga kjo pozitë pas rastit të së hënës ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu vdiq në duart e policisë.
Gashi për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se ka dhënë dorëheqje morale, dhe se nuk është shkarkuar.
“Unë kam dhënë dorëheqje morale nga pozita e Komandatit të Stacionit Policor në Lipjan. Nuk jam shkarkuar”, tha ai.
Ai tregoi se dorëheqja zyrtare ende s’është pranuar.
“Unë e kam dorëzuar, ajo ende nuk është pranuar zyrtarisht, pasi nuk kam vendim të ri për pozicion tjetër”, tha Gashi për Reporteri.net.
Lidhur me rastin janë arrestuar pesë policë nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia. Ndaj të njëjtëve dje është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Hetime kanë nisur edhe ndaj mjekes. Oda e Mjekëve të Kosovës përmes organeve të saj ndjekëse, ka nisur hetimet për dyshimet për mos dhënie të ndihmës së parë nga mjekja e ekipës së Urgjencës së komunës së Lipjanit në këtë rast.
Lajmin e ka konfirmuar edhe kryetari i OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu. Ai ka thënë se rasti është analizuar nga organet e Odës dhe është vendosur që të iniciohen të gjitha masat sipas Ligjit dhe kompetencave që i ka kjo organizatë.
Agon Zejnullahut vdiq në orët e para të datës 7 korrik, pas arrestimit nga Policia e Kosovës.
Në video shihet se si policët i hidhen sipër, e madje njëri nga ta ia vendos gjurin mbi qafë. Në këtë moment Zejnullahu i ndalon lëvizjet.
Policët pasi ia vendosin prangat e ngritin të ndjerin ulur në gjunjë, por ai nuk jep shenja jete. I ndjeri lihet në këtë gjendje për disa minuta derisa vjen autoambulanca nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në komunën e Lipjanit.
Mjekja përgjegjëse nuk e kontrollon për shenja vitale dhe as nuk i jep ndihmën e parë. Ajo në një deklarim për media ka thënë se policët i kanë kërkuar një barelë për ta vendosur dhe për ta futur në autoambulancë. I ndjeri vendoset në barelë me duar të lidhura.
Sipas mjekes, vdekjen e të ndjerit e ka konstatuar pasi e kanë hipur në autoambulancë. Sipas saj është tentuar t’i jepet ndihma e parë por nuk ka pasur efekt.
Policët e arrestuar janë rreshteri Ibrahim Nela dhe zyrtarët policorë Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri.
/Reporteri.net/