Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për ta ndihmuar Ukrainën në procesin e rimëkëmbjes pas përfundimit të luftës me Rusinë, duke ofruar ekspertizën dhe përvojën e saj në fushën e deminimit.

Gjatë adresimit në konferencën Ukraine Mine Action Conference (UMAC), të organizuar në Bruksel nga Bashkimi Evropian dhe Ukraina, Maqedonci ka folur për përvojën dhe sukseset e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në asgjësimin e mjeteve shpërthyese, si dhe për mbështetjen që Kosova i ka dhënë Ukrainës.
Ai ka theksuar se Kosova është e gatshme të kontribuojë edhe në fazat e tjera të rimëkëmbjes së Ukrainës, duke nënvizuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti ukrainas do të lehtësonte dhe zgjeronte mundësitë për bashkëpunim.

Sipas Maqedoncit, një njohje e tillë do të shmangte procedurat dhe pengesat që aktualisht e kufizojnë mundësinë e Kosovës për të ofruar mbështetje më të madhe.

Reklamë

“Kosova është e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj në fushën e deminimit për rimëkëmbjen e Ukrainës pas konfliktit, por edhe në faza të tjera, kur të vendosim bashkërisht për një gjë të tillë. Njohja e Kosovës nga Ukraina do të na ndihmonte dhe do të na mundësonte të bënim më shumë në mbështetje të Ukrainës”, ka deklaruar ai.

Gjatë fjalës së tij, ministri Maqedonci ka ngritur edhe shqetësimin për ndikimin rus në Serbi, duke vlerësuar se prania dhe aktivitetet e institucioneve ruse në këtë shtet përbëjnë një çështje me rëndësi për sigurinë evropiane.

Ai ka theksuar se institucionet ruse vazhdojnë të mbajnë kontakte dhe bashkëpunim me institucionet e sigurisë në Serbi, si dhe të përfshihen në aktivitete që lidhen me mbrojtjen civile.

Në këtë kontekst, Maqedonci ka vlerësuar se zvogëlimi i ndikimit rus në Evropë do të kontribuonte jo vetëm në forcimin e sigurisë evropiane, por edhe në mbështetjen e Ukrainës përballë agresionit rus.