Më 7 korrik, Kosova u trondit nga një ngjarje e rëndë e cila ndodhi në qytetin e Lipjanit, ku Agon Zejnullahu, 27-vjeçar, mbeti i vdekur në pranga të Policisë së Kosovës.
Pamjet që u publikuan menjëherë pas ngjarjes treguan veprimet e zyrtarët policorë derisa tentonin ta arrestonin 27 vjeçarin. Ky i fundit siç shihet në pamje, ka pesë policë mbi trupin e tij deri sa po tentonin të prangosnin viktimën, ndërsa pak kohë më pas vdes.
Së fundmi në një video tjetër janë publikuar pamjet e plota të gjithë ngjarjes tragjike të së hënës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në pamje Agon Zejnullahu shihet i shoqëruar nga një shok i tij, ndërsa aty shfaqen edhe momentet kur ai sulmon disa qytetarë që ndodheshin në një veturë. Pak kohë më pas arrin edhe Policia e Kosovës, e 27 vjeçari shihet duke u hedhur prapa veturës.
Lidhur me rastin janë arrestuar pesë policë nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia. Ndaj të njëjtëve dje është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Hetime kanë nisur edhe ndaj mjekes. Oda e Mjekëve të Kosovës përmes organeve të saj ndjekëse, ka nisur hetimet për dyshimet për mos dhënie të ndihmës së parë nga mjekja e ekipës së Urgjencës së komunës së Lipjanit në këtë rast. /Reporteri.net/