Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, u është drejtuar liderëve të partive në vend me thirrje për të gjejnë rrugën drejt kompromisit për të dalë nga ngërçi i krijuar, ku tash e 46 herë po dështon konstituimi i Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

Guerot ka thënë se asnjë votues nuk është i kënaqur me këtë gjendje.

“U bëj thirrje të gjithë udhëheqësve politikë në këtë vend, pa përjashtim, që të gjejnë rrugën drejt kompromisit dhe të sigurojnë funksionimin gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës. Asnjë votues nuk është i kënaqur me ngërçin aktual politik.”, ka deklaruar Gueorot, në pritjen e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës së Francës.

Reklamë

Ai ka theksuar rëndësinë e një Kuvendi funksional dhe një Qeverie me mbështetje të gjerë për të nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshje ndërkombëtare që janë në interes të Kosovës.

“Qeveritë mike të Kosovës, përfshirë qeverinë franceze, kanë nevojë për partnerë për të ecur përpara dhe për të mbështetur Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian. Dhe integrimi evropian kërkon dialog të lehtësuar nga BE-ja,” u shpreh Guerot.

Ambasadori ka deklaruar se Franca ka qenë, është dhe do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës./Reporteri.net