Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë pas seancës se partia e tij nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale dhe nuk kontribuon që vendi të shkojë në zgjedhje.
Limaj ka thënë se duhet pritur aktgjykimi i Kushtetueses për pasojat juridike të moskonstituimin e Kuvendit pas 26 korrikut. Kreu i Nismës tha se Kurti nuk i ka numrat për ta bërë qeverinë e re, dhe këtu qëndron e tërë çështja, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Kjo seancë pas vendimit të Kushtetueses, dhe me aktgjykimin me të cilin do të dalë shumë shpejt Kushtetuesja do të sqarojë veprimet juridike dhe veprimet që do të ndiqen. Është në interesin e të gjithë neve që të presim aktgjykimin e Gjykatës dhe sipas udhëzimeve në aktgjykim, edhe një herë forcat politike të mobilizohen që të themelohen institucionet.
Vazhdimisht kam thënë shumicë qeveritare, nuk ka zgjidhje parciale. Për mua s’ka qenë temë asnjëherë kryetari i Kuvendit, por mospasja e numrave për shumicën qeveritare. Gjërat kanë ngelur këtu ku janë sot. Po të ishin votat, shumica e zgjedhin Kuvendin, aty demonstrohet vota. Nisma i ka veç tri vota, janë të pamjaftueshme për të ndërtuar shumicë qeveritare. Do të ishte më mirë të fokusohemi në vendimin e Gjykatës. Mirë është që kur të vjen aktgjykimi edhe një herë të mobilizohemi. Nisma nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale, nuk konstriubon për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme”, tha Limaj pas dështimit të tentativës së 52-të për konstituimin e Kuvendit.
Një seancë e mundësisë së fundit është thirrur për nesër. /Reporteri.net/