Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka njoftuar se kanë autorizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për të marrë pjesë në operacionin për kërkimin e trupit të mërgimtarit që dyshohet se u hodh të dielën në Ujman.
KFOR ka bërë të ditur se shkuarja e FSK-së kushtëzohet me kërkesa specifike dhe të vendosura nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të ofrojë siguri gjatë gjithë operacionit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Të martën më 29 korrik 2025, Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, autorizoi Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për vendosjen e ekipeve të Kërkim-Shpëtimit në zonën e liqenit të Ujmanit/Gazivodës.
Autorizimi u dha në përputhje të plotë me prerogativat dhe autoritetet e Komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur një 33-vjeçar që raportohet të ketë hyrë në liqen disa ditë më parë. Kushtëzohet me kërkesa specifike dhe të vendosura nga KFOR-i i cili gjithashtu do të ofrojë siguri gjatë gjithë operacionit”, thuhet në njoftim.
KFOR tutje potencon se përdorimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit tbie nën mandatin e FSK-së.
Mëngjesin e sotëm, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit 33 vjeçar, i cili të dielën pasdite është hedhur në liqenin e Ujmanit dhe nuk është parë më. /Reporteri.net/