Një ilaç i ri që merret me injeksion vetëm dy herë në vit po shihet si një përparim i rëndësishëm në parandalimin e HIV-it. Megjithatë, çmimi i lartë dhe vështirësitë për ta siguruar me kosto të përballueshme po pengojnë përhapjen e tij, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Ilaçi quhet lenakapavir dhe prodhohet nga kompania farmaceutike amerikane Gilead Sciences. Në një provë klinike të zhvilluar në vitin 2024, ku morën pjesë më shumë se 2 000 gra në Afrikën e Jugut dhe Ugandë, asnjë nga gratë që morën ilaçin nuk u infektua me HIV. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka rekomanduar atë si një mundësi shtesë për parandalimin e infeksionit.
Në Shtetet e Bashkuara, trajtimi me lenakapavir për parandalimin e HIV-it kushton rreth 28 000 dollarë në vit për person. Ndërkohë, versionet gjenerike, të cilat përmbajnë të njëjtën lëndë vepruese, mund të kushtojnë rreth 40 dollarë në vit.
Megjithatë, këto versione më të lira nuk pritet të jenë gjerësisht të disponueshme në disa vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme përpara vitit 2027.
Kompania Gilead ka lidhur marrëveshje me gjashtë prodhues për të mundësuar prodhimin e versioneve gjenerike, por, sipas organizatës Mjekët pa Kufij, të paktën 26 vende me të ardhura të mesme janë lënë jashtë këtyre marrëveshjeve. Mes tyre janë Brazili, Meksika, Argjentina dhe Peruja, ku vazhdojnë të regjistrohen raste të reja me HIV.
Një injeksion që ofron mbrojtje për gjashtë muaj
Deri më sot, një nga mënyrat për të parandaluar HIV-in ka qenë marrja e përditshme e barnave parandaluese, të njohura si PrEP. Ato ulin rrezikun e infektimit, por duhet të merren rregullisht për të siguruar mbrojtjen e duhur.
Lenakapaviri ofron një mundësi tjetër, pasi injeksioni siguron mbrojtje për rreth gjashtë muaj. Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme për personat që e kanë të vështirë të marrin ilaçe çdo ditë ose që nuk kanë qasje të vazhdueshme në shërbimet shëndetësore.
Sipas Carlota Baptista da Silva, përgjegjëse për programin global të HIV-it pranë organizatës Mjekët pa Kufij, ky përbën një nga përparimet më të rëndësishme në parandalimin e HIV-it gjatë dekadës së fundit.
Lenakapaviri nuk është vaksinë dhe nuk shëron personat që tashmë janë të infektuar me HIV. Ai përdoret për të parandaluar infektimin te personat që mund të ekspozohen ndaj virusit.
Organizatat humanitare kërkojnë çmime më të përballueshme
Organizata Mjekët pa Kufij thotë se prej më shumë se një viti po përpiqet të sigurojë ilaçin drejtpërdrejt nga Gilead për programet e saj mjekësore, por ende nuk ka arritur të marrë miratimin e nevojshëm.
Sipas organizatës, kjo është veçanërisht shqetësuese në zonat e prekura nga konfliktet dhe fatkeqësitë, ku njerëzit mund ta kenë të vështirë të marrin barna çdo ditë dhe mund të jenë më të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit.
Nga ana e saj, Gilead deklaron se po punon për të zgjeruar mundësinë e përdorimit të ilaçit përmes furnizimit pa përfitim financiar për programe të caktuara, marrëveshjeve me prodhuesit e versioneve gjenerike dhe bashkëpunimeve rajonale. Kompania synon që deri në vitin 2028 ilaçi të jetë i disponueshëm për deri në tre milionë njerëz, ndërsa prodhimi në shkallë të gjerë i versioneve më të lira pritet të nisë në vitin 2027.
Megjithatë, Mjekët pa Kufij vlerëson se këto masa nuk janë të mjaftueshme, pasi rreth 20 milionë njerëz në mbarë botën kanë nevojë për barna parandaluese kundër HIV-it.