Gruaja e Rexhep Selimit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi e ka konfirmuar se ajo nuk ka votuar për propozimin që Donika Gërvalla të bëhet kryeparlamentare për shkak të postimeve të kësaj të fundit ndaj bashkëshortit të saj, të cilin e quante figurë e botës së krimit 

“Në përgjigje të interesimit të madh të mediave dhe opinionit publik lidhur me arsyen se pse nuk mora pjesë në votim gjatë seancës së sotme, dëshiroj të sqaroj se mospjesëmarrja ime nuk lidhet me motive partiake. Ajo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim. Këtë shpjegim po e bëjë për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti, përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. I falënderoj për mirëkuptimin kolegët, aktivistët dhe votuesit e Lëvizjes.”, ka sqaruar Selimi.

Reklamë

Kujtojmë që, në deklaratë e bërë vite më parë nga Donika Gërvalla, për Gjykatën Speciale dhe ish-krerët e UÇK-së kishte ngjallur reagime të mëdha. Gërvalla e cilësonte Selimin si “figurë e diskredituar e botës së krimit”.

“Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, shkruante ajo.

Në një postim tjetër me 25 mars të vitit 2020, Gërvalla e cilësonte si akt të shëmtuar që as LVV, siç shkruante ajo, nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga “figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, duke iu referuar Selimit.

“Sa gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, kishte shkruar ajo.

Reklamë