Ndërsa aleatët e Ukrainës debatojnë se si t’i ofrojnë vendit garanci sigurie, Kievi po ecën përpara me mënyrën e vet për të penguar Rusinë – një raketë të re lundrimi të aftë për të goditur objektiva në të gjithë Rusinë Evropiane, që mban një kokë luftarake masive që peshon më shumë se një ton, shkruan politico.eu.

Është raketa Flamingo FP-5, e zhvilluar nga kompania ukrainase e mbrojtjes Fire Point, një prodhues me rritje të shpejtë i dronëve luftarakë që janë bërë një armë kyçe në luftë.

“Tani është koha e duhur”

Reklamë

“Nuk donim ta bënim publike këtë, por duket se ka ardhur koha e duhur. Flamingo është një raketë lundrimi me rreze të gjatë veprimi që mund të mbajë një kokë luftarake prej 1,150 kilogramësh dhe të fluturojë drejt Rusisë 3,000 kilometra”, tha për Politico Irina Terekh, drejtoresha ekzekutive dhe teknike e kompanisë.

“E menduam mjaft shpejt. Na u deshën më pak se nëntë muaj për ta zhvilluar nga një ide deri te testet e para të suksesshme në fushën e betejës. Nuk mund t’ju them shpejtësinë e saj të saktë, por mund të them se është më e shpejtë se të gjitha raketat e tjera që kemi aktualisht”, tha Terekh, duke shtuar: “Është tërësisht e prodhuar në Ukrainë”.

Emri dhe ngjyra e pazakontë e raketës, përkatësisht maja rozë e ndezur që strehon kokën bërthamore, janë një lloj shakaje e brendshme e kompanisë në lidhje me rolin shpesh të anashkaluar të grave në botën e armëve dhe të luftës të dominuar nga meshkujt.

Flamingo mund të shkaktojë probleme të vërteta për udhëheqësin rus Vladimir Putin. “Nuk keni nevojë për një emër të keq për një raketë që mund të fluturojë 3,000 kilometra”, tha Terekh për rrezen e veprimit të raketës. “Qëllimi kryesor është që raketa të jetë efikase”, shtoi tutje ajo.

Pavarësisht ngjyrës apo emrit, një raketë me një fuqi të tillë është parë tashmë në Moskë. Agjencia shtetërore e lajmeve TASS publikoi një artikull këtë javë duke minimizuar kërcënimin, duke pretenduar se ai bazohej në një projekt nga një kompani britanike, një pretendim që ukrainasit e mohojnë.

Reklamë

Terekh nuk është dakord: “Ne e pamë reagimin rus ndaj misioneve tona të para dhe mund t’ju them se sa më i suksesshëm ishte misioni, aq më shumë rusët përpiqeshin të shtypnin çdo publicitet që e rrethonte.”

Flamingo është tani në prodhim serik dhe këtë muaj u prodhua raketa e 211-të. “Deri në dhjetor, do të kemi shumë të tjera”, tha të mërkurën Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke refuzuar të japë detaje të mëtejshme.

Presidenti amerikan Donald Trump duket gjithashtu më i hapur ndaj sulmeve të Ukrainës thellë në Rusi. “Është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur, të fitosh një luftë pa sulmuar vendin e agresorit”, shkroi ai dje në rrjetet sociale, duke shtuar: “Kohë interesante na presin!!!” /Reporteri.net/

Reklamë