Autoritetet shëndetësore në Mississippi kanë shpallur gjendje emergjence shëndetësore publike për shkak të rritjes shqetësuese të vdekshmërisë foshnjore në shtet.
Vetëm në dekadën e fundit, mbi 3,500 foshnja kanë ndërruar jetë para se të mbushnin një vjeç, ndërsa sipas të dhënave të vitit 2024, shkalla e vdekshmërisë foshnjore ka arritur në 9.7 për 1,000 lindje të gjalla, niveli më i lartë në mbi dhjetë vite dhe më i larti në SHBA.
Shkaktarët kryesorë përfshijnë lindjet e parakohshme, peshën e ulët të foshnjave, keqformimet dhe sindromën e vdekjes së papritur. Të dhënat nxjerrin gjithashtu në pah pabarazi të mëdha racore: Vdekshmëria mes foshnjave afroamerikane është rritur ndjeshëm, ndërsa tek foshnjat e bardha ka vijuar të ulet.
Për të përballuar krizën, autoritetet kanë paralajmëruar një plan veprimi që përfshin përmirësimin e aksesit në kujdesin para dhe pas lindjes, forcimin e mbështetjes komunitare, programet e vizitave në shtëpi dhe ndërgjegjësimin për gjumin e sigurt të foshnjave. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shkurtimet e reja në financimin e Medicaid mund të përkeqësojnë gjendjen, sidomos në zonat rurale ku tashmë mungon kujdesi obstetrik.