Një sulm me armë zjarri ka tronditur Minneapolis-in më 26 gusht. Siç raporton USA Today, një person ka mbetur i vrarë dhe gjashtë të tjerë të plagosur, pasi një person qëlloi me breshëri plumbash mbi një grup njerëzish që ndodheshin në trotuar, përballë një shkolle të mesme.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se autori ka hapur zjarr duke shtënë mbi turmën me njerëz dhe më pas është larguar me automjetin e tij.
Shefi i Policisë së Minneapolis-it, Brian O’Hara, tha se tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën. “Ky sulm në mes të ditës është plotësisht i neveritshëm dhe i papranueshëm,” deklaroi ai para gazetarëve. Sipas O’Hara-s, duket se të paktën një nga personat e pranishëm në trotuar ishte objektiv i sulmit.
Autoritetet konfirmuan se ende nuk ka asnjë të arrestuar dhe nuk është identifikuar asnjë i dyshuar. “Kemi në dorë prova të rëndësishme dhe jam i bindur se do ta identifikojmë autorin,” shtoi kreu i policisë.