Gjykata e Apelit e SHBA-së ka vendosur që shumica e taksave të vendosura nga Presidenti Donald Trump janë të paligjshme, duke çuar në një mundësi përballjeje ligjore që mund të rrezikojë agjendën e tij të politikës së jashtme, raporton BBC, përcjell Reporteri.net
Ky vendim ka të bëjë me taksat e “ndërsjella” të Trumpit, të vendosura ndaj shumicës së shteteve të botës, si dhe me taksat e tjera të vendosura ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë.
Gjykata e Apelit për Qarkun Federal të SHBA-së hodhi poshtë argumentin e Trumpit se taksat ishin të lejueshme nën një ligj për fuqitë emergjente ekonomike, duke i quajtur ato “të pavlefshme si të kundërshtuara me ligjin.”
Vendimi nuk do të hyjë në fuqi deri më 14 tetor, për t’u dhënë mundësi autoriteteve të kërkojnë që çështja të merret nga Gjykata e Lartë.
Trump e kritikoi vendimin e gjykatës dhe argumentoi në rrjetin e tij Truth Social se: “Nëse ky vendim qëndron, ai do ta shkatërrojë dosido SHBA-në.”
“Gjykata e Apelit, e cila është shumë e polarizuar, tha gabimisht se taksat tona duhet të hiqen, por ata e dinë se Shtetet e Bashkuara do të fitojnë në fund,” shkruante ai.
Trump kishte mbrojtur këto tarifa nën Aktin e Fuqive Ekonomike Emergjente Ndërkombëtare (IEEPA), i cili i jep presidentit fuqinë për të vepruar kundër “kërcënimeve të jashtëzakonshme dhe të pazakonta.”
Ai kishte shpallur një emergjencë kombëtare në lidhje me tregtinë, duke argumentuar se një disbalancë tregtare është e dëmshme për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Por gjykata vendosi se vendosja e taksave nuk bën pjesë në mandatin e presidentit dhe se vendosja e tarifave është një “fuqi thelbësore e Kongresit.”/Reporteri.net