Qytetarët izraelitë kanë dalë në rrugët e Jerusalemit të mërkurën për ta kundërshtuar thirrjen në ushtri të dhjetëra mijëra rezervistëve për një ofensivë që është dënuar ndërkombëtarisht dhe që ka nxitur frikën në Izrael se mund t’i rrezikojë pengjet që ende po mbahen në Rripin e Gazës.
Protestuesit e akuzojnë kryeministrin e vendit, Benjamin Netanyahu, dhe kabinetin e tij, se nuk kanë arritur ta bëjnë një marrëveshje armëpushimi dhe në vend të kësaj kanë përshpejtuar pushtimin që, sipas spitaleve në Gazë, është duke e rritur dukshëm numrin e viktimave.
“Duhet të ndërmarrim veprim ekstrem që të na kujtojë dikush. Nuk ka shtet që i braktis qytetarët e vet”, tha Yael Kuperman, një protestuese pranë Knessetit, për transmetuesin publik izraelit Kan.
Izraelitët kanë protestuar shpesh gjatë luftës, duke kërkuar një marrëveshje që sjellë pengjet izraelite në shtëpitë e tyre.
Izraeli thotë se Qyteti i Gazës – qyteti më i madh palestinez, si në Rripin e rrethuar ashtu edhe në Bregun e pushtuar Perëndimor – mbetet bastion i Hamasit dhe se nën të ndodhet një rrjet i gjerë tunelesh, edhe pas bastisjeve të mëhershme gjatë luftës.
Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Izraeli ka shtuar sulmet ajrore dhe tokësore në periferi të Qytetit të Gazës, veçanërisht në lagjet perëndimore, ku sipas grupeve humanitare që koordinojnë ndihmën për të zhvendosurit, njerëzit po detyrohen të ikin drejt bregdetit.
Palestinezët dhe punonjësit e ndihmës thonë se kërcënimi i dyfishtë i luftimeve dhe urisë po bëhet gjithnjë e më i madh për familjet në Qytetin e Gazës, shumica dërrmuese e të cilave kanë janë zhvendosur disa herë gjatë luftës 23-mujore./REL