Florida po synon të bëhet shteti i parë në SHBA që anulon të gjitha detyrimet për vaksinat, shumë prej të cilave kërkojnë që fëmijët të vaksinohen kundër sëmundjeve si poliomieliti për të shkuar në shkollat publike.
Shefi i shëndetësisë i shtetit, Surgeon General Joseph Ladapo, i krahasoi këto detyrime me “skllavëri” gjatë njoftimit të planeve të mërkurën.
“Kush jam unë që t’ju them se çfarë duhet të fusë fëmija juaj në trupin tuaj? Nuk kam të drejtën për këtë. Trupi juaj është dhuratë nga Zoti”, tha ai.
Autoritetet e Floridës nuk kanë dhënë afate apo detaje për përfundimin e obligimeve. Disa mund të hiqen vetëm përmes votimit të legjislaturës së shtetit, e cila kontrollohet nga republikanët, ndërsa të tjerat mund të anulohen nga departamenti i shëndetësisë së shtetit. Megjithatë, Ladapo premtoi disa herë gjatë konferencës për media se do të përfundojë “të gjitha, secilën prej tyre”.
Ai është kritikuar shpesh nga mjekët dhe grupet e shëndetit publik për shpërndarje të informacionit të gabuar mbi vaksinat, ndërsa guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis, ka kundërshtuar detyrimin për vaksinat kundër Covid-19.
Aktualisht, nxënësit në Florida duhet të vaksinohen kundër sëmundjeve të ndryshme, përfshirë fruthin, hepatitin B, poliomelitin dhe variçelën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat kanë shpëtuar mbi 154 milionë jetë gjatë 50 viteve të fundit, kryesisht foshnjave. Po ashtu, CDC thotë se çdo vit parandalohen rreth 4 milion vdekje globalisht përmes vaksinave për fëmijë.
Në të njëjtën ditë, disa shtete të udhëhequra nga demokratët krijuan një aleancë për koordinim shëndetësor, përfshirë imunizimet, në kundërshtim me ndryshimet e administratës Trump në programet dhe udhëzimet e shëndetit publik. Guvernatorët e Ëashington-it, Oregon-it dhe California-s thanë se do të ndjekin udhëzime nga organizata kombëtare mjekësore dhe jo aq nga qeveria federale.
Ata kritikuan gjithashtu vendimin e fundit të Sekretarit Amerikan të Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr, skeptik ndaj vaksinave, për heqjen e ekspertëve nga paneli këshillues i CDC-së për vaksinat.