Një tërmet me magnitudë 6.2 ka tronditur sërish Afganistanin ndërsa numri i vdekjeve nga tërmeti shkatërrues i së dielës ka tejkaluar mbi 2,200 persona.

Tërmeti i mbrëmjes së të enjtes ka goditur rajonet juglindore, sipas Qendrës Helmholtz të Gjeoshkencave në Gjermani. Nuk është ende e qartë shkalla e dëmit, raporton The Guardian.

Të martën, pati një paslëkundje me magnitudë 5.5 që shkaktoi panik dhe ndërpreu operacionet e kërkim-shpëtimit pasi shumë rrugë u bllokuan nga gurët.

Reklamë

Një zëdhënës i talebanëve konfirmoi të enjten se ky tërmet është një nga katastrofat natyrore më vdekjeprurëse që ka goditur vendin në dekada.

Ai ra në terrenet e largëta lindore dhe malore të vendit duke rrafshuar fshatra të tërë dhe njerëzit ngecën nën gërmadha.

Pjesa më e madhe e të vdekurve shënohet në provincn Kunar ku shtëpitë janë të ndërtuara me dru dhe tulla balte.

Të enjten, shpëtimtarët ia kanë dalë të shkojnë në fshatra që ishin bllokuar plotësisht dhe kanë nxjerrë trupat nga rrënojat.

Sipas organizatës Islamic Relief, rreth 98% e banesave në Kunar janë dëmtuar ose shkatërruar. Terreni i vështirë malor ka penguar operacionet e shpëtimit. Autoritetet talebane kanë dërguar helikopterë dhe trupa ushtarake për të gjetur dhe shpëtuar të mbijetuarit. Punonjësit e emergjencave thanë se kanë ecur për orë të tëra për të shkuar drejt fshatrave të bllokuar nga rrëshqitjet e dheut dhe gurëve.

Reklamë

Operacionet janë vështirësuar edhe nga mungesa e ndihmës dhe burimeve ndërkombëtare. Pasi talebanët rimorën pushtetin në vitin 2021 dhe nisën të vendosnin ligje të forta bazuar mbi fenë duke vështirëasuar punën e organizatave jo-qeveritare, ka pasur rënie të fortë të ndihmës.

Agjencitë e ndihmave thanë se kanë nevojë urgjente për staf dhe pajisje për t’u kujdesur për të lënduarit dhe për të strehuar mijëra të pastrehë që s’kanë ushqim apo ujë. Deri më tani ka mbi 84 mijë të tillë.