Angela Rayner ka dhënë dorëheqjen nga detyra e zëvendëskryeministres dhe sekretares për çështjet e strehimit.

“The Guardian” raporton se ky vendim vjen pas një hetimi që kishte nisur ndaj saj, nga këshilltari etik i qeverisë për mosshlyerjen e plotë të taksës së pasurive të paluajtshme, për një apartament bregdetar prej 800 mijë paundësh.

Dorëheqja e saj konsiderohet një goditje e rëndë për kryeministrin Keir Starmer, i cili fillimisht kishte vendosur ta mbështeste. “Tani, autoriteti i tij është dëmtuar seriozisht.”, raporton e përditshmja britanike.

Reklamë

Largimi i Rayner gjithashtu i lë laburistët pa një nga zërat më autentikë dhe më të fuqishëm të klasës punëtore, në një kohë kur partia është duke u përpjekur të rifitojë besimin e elektoratit tradicional dhe po mbetet pas partisë së Nigel Farage, Reform UK në sondazhe.

Rayner i ishte drejtuar vetë këshilltarit etik, pasi kishte konfirmuar se do t’i duhej të paguante më shumë taksë, që sipas ekspertëve mund të arrijë deri në 40 mijë paund, pasi kishte paguar gabimisht një normë më të ulët për apartamentin e saj në Hove.

Në atë kohë, Rayner kishte thënë se “pendohej thellësisht” për këtë gabim, pasi e kishte klasifikuar apartamentin si pronën e saj të vetme, ndonëse pjesën më të madhe të kohës e kalonte në shtëpinë familjare në Ashton, me fëmijët e saj.

Pak muaj para blerjes së apartamentit në Hove, ajo e kishte kaluar pjesën e saj të pronësisë së shtëpisë në Ashton në një fond besimi (trust), i krijuar në vitin 2020 për të menaxhuar një pagesë për njërin nga djemtë e saj, i cili, pas një incidenti të rëndë që nga lindja si foshnje e parakohshme, kishte mbetur me aftësi të kufizuara të përhershme.

Reklamë

Pas këtyre zbulimeve, zv.kryeministrja është përballur me akuza për hipokrizi, sidomos në një moment kur qeveria pritet të rrisë taksat për pronarët e pasurive në buxhetin e vjeshtës.