Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka kryer një riformatim të gjerë të kabinetit pas dorëheqjes së Angela Rayner më herët gjatë ditës së sotme.

David Lammy është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë, duke e quajtur këtë “nderin më të madh të jetës” së tij.

Ndërkohë, Yvette Cooper merr drejtimin e Ministrisë së Jashtme dhe Shabana Mahmood është caktuar ministre e Brendshme. Steve Reed do të marrë portofolin e banesave, që më parë mbulohej nga Rayner.

Reklamë

Rayner dha dorëheqjen si zëvendëslidere e Laburistëve dhe nga postet qeveritare pas polemikave mbi mospagimin e mjaftueshëm të taksave për apartamentin e saj 800 mijë paundësh në Hove, East Sussex.

Këshilltari për etikën i kryeministrit konstatoi se edhe pse Rayner “veproi me integritet”, ajo kishte shkelur kodin ministror.

Në deklaratën e saj, Rayner tha se merr “përgjegjësinë e plotë”, ndërsa Starmer u shpreh se ishte “shumë i keqardhur” që mandati i saj përfundoi në këtë mënyrë.