Çështja e tipologjisë së demokracisë së Kosovës është një debat me pasoja të drejtpërdrejta për legjitimitetin e institucioneve dhe kuptimin e sovranitetit shtetëror. Në diskursin publik e akademik, shpesh është përhapur ideja se Kosova është “demokraci konsensuale”, për shkak të mekanizmave kushtetues që garantojnë të drejtat e komuniteteve jo-shumicë. Në të vërtetë, ky përkufizim nuk është as teorikisht i saktë, as praktikisht i justifikuar. Ai, përkundrazi, përdoret shpesh nga studiues, profesorë dhe parti politike si një mënyrë për të relativizuar karakterin përfaqësues të demokracisë kosovare dhe për të dobësuar sovranitetin e shumicës qytetare. Disa prej tyre mund ta bëjnë këtë nga injoranca teorike; të tjerë në mënyrë të vetëdijshme dhe me prirje antikombëtare, me qëllimin për të relativizuar rolin e shumicës shqiptare dhe për të forcuar pozitën politike të komunitetit serb. Ky interpretim nuk është neutral. Ai ushqen narrativën e varësisë së përhershme të Kosovës, duke e paraqitur shtetin si të kushtëzuar nga pëlqimi i pakicës dhe si një realitet të papërfunduar shtetëror.

Në këtë kontekst, një shembull i freskët është kërkesa e Listës Serbe drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila pretendon se moszgjedhja e një prej nënkryetarëve të Kuvendit nga komuniteti serb përbën shkelje kushtetuese. Ky pretendim në letër shfaqet si mbrojtje e të drejtave të minoritetit, por në thelb është një përpjekje për të vendosur veto në funksionimin normal të institucioneve. Nëse Gjykata Kushtetuese do të merrte një vendim pro këtij pretendimi, atëherë pasojat do të ishin të rënda: parimi unitar i shtetit kosovar do të goditej, sepse funksionaliteti i Kuvendit do të varej në mënyrë disproporcionale nga pëlqimi i një subjekti etnik specifik.

Kjo do të përforconte gabimisht idenë se Kosova është demokraci konsensuale, ku shumica nuk ka legjitimitet për të qeverisur pa pëlqimin e pakicës serbe. Në praktikë, një vendim i tillë do të deformonte balancën midis demokracisë përfaqësuese dhe mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve, duke e çuar sistemin drejt një forme të bllokimit të përhershëm institucional. Siç do ta theksonte Giovanni Sartori, struktura demokratike nuk mund të mbahet e qëndrueshme nëse logjika e shumicës zëvendësohet nga logjika e vetos së pakicës, pasi në atë rast nuk kemi më demokraci, por një bllokadë sistemike.

Reklamë

Demokracia konsensuale dhe përfaqësuese: dallime teorike

Arend Lijphart, në veprën e tij klasike Patterns of Democracy (1999), paraqet dallimin mes dy modeleve kryesore të demokracisë: atij të shumicës (majoritarian) dhe atij të konsensusit (consensus). Demokracia konsensuale nënkupton ndarje të pushtetit ndërmjet elitave, përfaqësim proporcional të gjerë, qeveri gjithëpërfshirëse (grand coalition), përdorim të gjerë të vetos së minoriteteve dhe shpesh autonomi territoriale. Ky model është tipik për vende të fragmentuara si Zvicra apo Belgjika, ku stabiliteti kërkon marrëveshje permanente ndërmjet grupeve shoqërore, apo edhe në Bosnje dhe Hercegovinë sipas “Marrëveshjes së Dayton”.

Në të kundërt, demokracia përfaqësuese (majoritarian) bazohet te konkurenca politike, qeverisja e shumicës dhe rotacioni i elitave përmes zgjedhjeve. Siç e ka shpjeguar fare qarë Giovanni Sartori në Comparative Constitutional Engineering (1994), ky model vë theksin te efekti funksional i zgjedhjeve si mekanizëm selektues i shumicës.

Robert Dahl, në konceptin e tij të “poliarkisë” (Polyarchy, 1971), thekson se legjitimiteti demokratik ngrihet mbi pjesëmarrjen qytetare dhe garën ndërmjet elitave, elementë tipikë të një demokracie përfaqësuese.

Struktura institucionale e Kosovës

Kushtetuta e Kosovës parashikon disa masa për mbrojtjen e komuniteteve: 20 vende të rezervuara për minoritetet në Kuvend, poste ministrore të garantuara për komunitetet joshumicë dhe të drejtën e vetos në çështje që prekin drejtpërdrejt interesat e tyre. Këto dispozita janë shpesh të mbivlerësuara në literaturë dhe përdoren si argument se Kosova është demokraci konsensuale. Megjithatë, në praktikë, sistemi politik i Kosovës funksionon mbi bazën e demokracisë përfaqësuese: qeveritë formohen me shumicë parlamentare, opozita është e veçuar nga pushteti, dhe vendimmarrja bëhet kryesisht përmes votimit të shumicës, jo përmes konsensusit gjithëpërfshirës.

Nëse zbatojmë kriteret e Lijphart, bëhet e qartë se Kosova nuk i plotëson ato. Nuk ekziston një “grand coalition” që bashkon të gjitha partitë dhe komunitetet. E drejta e vetos së minoriteteve është e kufizuar vetëm në fusha të caktuara dhe nuk është një normë e përgjithshme e vendimmarrjes. Përfaqësimi proporcional është i pjesshëm dhe mbi të gjitha, natyra e qeverive është e ngjashme me modelet shumicë – opozitë që karakterizojnë demokracitë përfaqësuese. Rasti i Kosovës, pra, nuk është një “demokraci e ndarjes së pushtetit” (consociational democracy), por një demokraci parlamentare përfaqësuese me disa elementë të mbrojtjes së minoriteteve të imponuar nga konteksti ndërkombëtar.

Reklamë

Shumë studiues dhe profesorë, shpesh të lidhur me rrjete ndërkombëtare ose të formuar në diskurse ku përfshirja e minoriteteve shihet si kriter themelor i legjitimitetit, e përdorin termin “konsensual” për Kosovën. Ky është një keqpërdorim metodologjik: masa të pjesshme të mbrojtjes identifikohen me një model të tërë qeverisjeje. Për disa të tjerë, përdorimi i këtij koncepti bëhet i ndërgjegjshëm dhe i qëllimshëm: ndërtohet një narrativë që relativizon rolin e shumicës shqiptare, që e paraqet Kosovën si shtet të varur nga konsensus etnik dhe që për rrjedhojë, e dobëson konceptin e sovranitetit shtetëror.

Partitë politike e instrumentalizojnë këtë diskurs në dy mënyra. Së pari, ato që nuk arrijnë të fitojnë shumicën zgjedhore e përdorin idenë e konsensusit për të legjitimuar kërkesën e tyre të përhershme për të qenë pjesë e qeverisjes. Së dyti, forcat që janë më të prira të ndjekin narrativat ndërkombëtare e përdorin këtë koncept për ta ndihmuar pozitën e Serbisë dhe për ta dobësuar idenë e sovranitetit të pakushtëzuar të Kosovës. Në të dyja rastet, bëhet fjalë për një ndërhyrje të hapur në logjikën e demokracisë përfaqësuese.

Pasojat e këtij interpretimi të gabuar

Nëse Kosova pranohet si demokraci konsensuale, atëherë kuptimi i zgjedhjeve përfaqësuese humbet peshën e vet. Vota e shumicës qytetare relativizohet dhe shndërrohet në një element që duhet gjithmonë të marrë pëlqimin e pakicave për të qenë legjitim. Kjo e dobëson institucionin e sovranitetit dhe e shndërron Kosovën në një shtet të bllokuar, ku vendimmarrja ecën ngadalë dhe qeverisja bëhet e kushtëzuar. Për më tepër, ky interpretim u shërben qarqeve që synojnë ta paraqesin Kosovën jo si një shtet të konsoliduar, por si një subjekt të përkohshëm dhe të varur nga faktorë të jashtëm.

Në teori dhe në praktikë, Kosova është një demokraci përfaqësuese, jo konsensuale. Ajo bazohet në logjikën e zgjedhjeve, të shumicës dhe të rotacionit të elitave, ndërkohë që elementet e konsensusit ekzistojnë vetëm si masa të mbrojtjes së minoriteteve. Çdo përpjekje për ta quajtur ndryshe është ose gabim teorik, ose akt politik me pasoja të qarta antikombëtare. Siç do ta shprehte Dahl, sovraniteti demokratik lidhet ngushtë me pjesëmarrjen dhe garën; ndërsa për Sartorin, demokracia përfaqësuese humbet kuptim nëse relativizohet logjika e shumicës. Kosova rrezikon të reduktohet në një sistem të bllokuar nëse pranon narrativën e “demokracisë konsensuale”. Rruga për konsolidim demokratik është pranimi i realitetit: një demokraci përfaqësuese me elektorat aktiv, jo një kuazi-konsensualizëm i imponuar që në fund e dobëson bazën e sovranitetit.

Reklamë

*Autori është doktor i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.