Rregullatori i internetit në Kinë ka urdhëruar kompanitë më të mëdha të teknologjisë që të ndalojnë blerjen e çipave të inteligjencës artificiale nga Nvidia dhe të anulojnë porositë ekzistuese, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zvogëluar varësinë nga teknologjia amerikan. Të paktën kështu raporton këtë të mërkurë Financial Times.

Aksionet e kompanisë amerikane ranë me 1% në tregun para hapjes së bursës.

Administratat e njëpasnjëshme amerikane kanë kufizuar aksesin e Kinës në çipa të avancuar, duke e shtyrë Pekinin të nxisë kompanitë vendase që të largohen nga furnizuesit amerikanë, duke goditur liderë të industrisë si kompania Nvidia.

Reklamë

Ky zhvillim vjen pak ditë pasi Kina e akuzoi kompaninë për shkelje të ligjit të saj kundër monopolit, duke shënuar një përshkallëzim të ri në luftën tregtare me Uashingtonin.

Administrata për Hapësirën Kibernetike të Kinës (CAC) u ka dhënë udhëzim kompanive si ByteDance dhe Alibaba këtë javë që të ndalojnë testimet dhe porositë për çipin RTX Pro 6000D, sipas raportit të FT-së që citon tre burime që kanë njohuri për këtë çështje.

Sipas raportit, kjo ndalesë e re është më e fortë se udhëzimet e mëparshme nga rregullatorët, të cilat ishin të fokusuara në modelin H20, versioni i mëparshëm i çipit të Nvidia-s i përshtatur për tregun kinez.

Reuters raportoi më herët këtë javë se RTX6000D, çipi më i ri i inteligjencës artificiale i Nvidia-s i përshtatur për tregun kinez, ka pasur kërkesë të vakët, me disa kompani të mëdha teknologjike që kanë vendosur të mos bëjnë porosi

Disa kompani kishin shprehur synimin për të porositur dhjetëra mijëra njësi të RTX Pro 6000D dhe kishin nisur punën e testimit dhe verifikimit me furnizuesit e serverëve të Nvidia-s, para se t’u kërkonin atyre të ndalonin punën pas marrjes së urdhrit nga CAC.

Reklamë