Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka bërë thirrje të qartë për unitet dhe vendosmëri nga ana e Evropës përballë agresionit rus, duke theksuar se Rusia nuk duhet të lejohet të diktojë termat e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë.
Në një fjalim në Bundestag gjatë debatit për buxhetin e ri, Merz paralajmëroi se çdo lëshim ndaj Moskës vetëm sa do ta inkurajonte presidentin Vladimir Putin për të ndjekur qëllimet e tij të ardhshme.
“Putin po teston kufijtë prej kohësh”, deklaroi Merz. Ai përshkroi një tablo të qartë të veprimeve destabilizuese të Kremlinit: Ai saboton, spiunon, vret dhe përpiqet të trazojë opinionin publik.
Kancelari solli në vëmendje një incident të ndodhur javën e kaluar në Poloni, ku dronë rusë shkelën hapësirën ajrore të vendit dhe u rrëzuan brenda territorit polak, një ngjarje e paprecedentë që shërben si shembull i rrezikut të vazhdueshëm.
Merz theksoi se edhe shoqëria gjermane është në shënjestër të përpjekjeve destabilizuese të Rusisë. “Nuk do ta lejojmë këtë”, u zotua ai, duke shtuar se Gjermania po fuqizon kapacitetet e saj mbrojtëse për t’i bërë ballë këtyre kërcënimeve.
Ai theksoi se qëllimi i Berlinit është i dyfishtë: të dekurajojë agresionin nga kundërshtarët dhe të forcojë unitetin mes aleatëve.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkallë të gjerë në vitin 2022, Gjermania ka qenë një nga përkrahëset më të mëdha të Kievit. Sipas ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, Gjermania aktualisht ka tejkaluar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke u bërë furnizuesi më i madh në këtë drejtim.