Bashkimi Evropian po shqyrton mënyrat për të përdorur asetet e ngrira ruse për të mbështetur një të ashtuquajtur “hua riparimi” për Ukrainën, për të forcuar financat e saj gjatë kohës së luftës dhe për të shmangur rrezikun e një vetoje nga Hungaria pro-Moskës. Kështu raporton Reuters këtë të enjte, duke iu referuar zyrtarëve të afërt me projektin.
Ukraina do ta paguante këtë hua vetëm pasi të merrte kompensim nga Rusia për dëmet e shkaktuara gjatë luftës. Kjo ide u propozua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, javën e kaluar, në një kohë kur presidenti Donald Trump po kufizon ndihmën ushtarake të financuar drejtpërdrejt nga SHBA-të për Kievin.
Von der Leyen tha se huaja mund të organizohej mbi bazën e bilanceve të parave që lidhen me asetet e Bankës Qendrore Ruse të ngrira në Perëndim pas pushtimit të Ukrainës nga Moska, dhe nuk do të përfshinte sekuestrimin e këtyre aseteve, një vijë e kuqe për disa vende të BE-së.
Çdo hua e tillë duhet të projektohet në mënyrë që të shmangë një veto nga Hungaria, vendi më pro-Moskës ndër 27 anëtarët e BE-së, dhe blerjet e naftës ruse nga ana e saj këtë javë janë bërë burim pakënaqësie për administratën Trump.
Zyrtarët e përfshirë në projekt thanë se mund të krijohet një mekanizëm i ri nga Koalicioni i të Gatshmëve, dhe jo nga të gjitha 27 qeveritë e BE-së, nëse Budapesti nuk dëshiron të marrë pjesë.
“Kemi pasur një diskutim paraprak për idenë e huasë së re. Por deri tani, shumë gjëra, përfshirë shumat, nuk janë të qarta,” tha për Reuters një zyrtar i lartë i BE-së.
Rreth 210 miliardë euro (250 miliardë dollarë) asete ruse janë të bllokuara në Evropë. Shumica e tyre tashmë janë maturuar dhe kthyer në para të depozituara nga Euroclear, institucioni belg i ruajtjes së letrave me vlerë.
BE-ja ka përdorur interesin nga këto asete për të shlyer një hua prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, të dhënë nga vendet e G7-ës. Me shumicën e aseteve tashmë në formë cash, interesi i gjeneruar është i ulët.
Ideja që po shqyrton tani BE-ja do të përfshinte zëvendësimin e aseteve ruse me obligacione pa kupon (zero-coupon bonds) të lëshuara nga Komisioni Evropian.
Obligacionet do të kishin garanci nga të gjitha vendet e BE-së ose vetëm nga ato që duan të marrin pjesë.
Garancitë shtetërore janë pjesa politikisht më e rrezikshme, sepse mund të kërkohen nëse Rusia ngre pretendime pasi sanksionet e BE-së ndaj Moskës të jenë hequr. Rreziku i një vetoje të veçantë nga Hungaria për rinovimin e sanksioneve vazhdon të qëndrojë mbi BE-në.
“Megjithatë, nëse supozojmë se sanksionet do të qëndrojnë në fuqi derisa Rusia të tërhiqet plotësisht nga Ukraina, përfshirë Krimenë, atëherë asetet do të qëndrojnë të ngrira për një të ardhme të parashikueshme. Kjo do të thotë se garancia nuk është shumë e rrezikshme,” tha një zyrtar tjetër i lartë i BE-së.
Pasi asetet të zëvendësohen me obligacione të BE-së, një nga opsionet që po shqyrtohet është vendosja e tyre në një strukturë të posaçme (special purpose vehicle), që mund të zotërohet nga të gjitha shtetet e BE-së ose vetëm nga ato që ofrojnë garanci për obligacionet. Ideja është ende në fazën fillestare.