Kamala Harris ka zbuluar se ishte “e zemëruar dhe e zhgënjyer” kur Joe Biden e telefonoi disa orë para debatit të saj presidencial me Donald Trump, për t’i treguar se disa bashkëpunëtorë të fuqishëm të vëllait të tij nuk e mbështesnin atë.

Ish-zëvendëspresidentja dhe kandidatja demokrate ka ndarë këtë moment– dhe kritika të tjera ndaj Bidenit – në kujtimet e saj të fushatës, me titull “107 Days”, të cilat janë siguruar nga “The Guardian” përpara publikimit javën tjetër, përcjell Reporteri.net.

Harris shkruan se në shtator ndodhej në një dhomë hoteli në Filadelfia, e përgatitur për t’u përballur me Trumpin në një debat vendimtar, kur presidenti i atëhershëm, Joe Biden, e telefonoi për t’i uruar fat – dhe për ta pyetur nëse do të kthehej në Filadelfia përpara zgjedhjeve.

Reklamë

Harris u habit pse ai po bënte një pyetje të tillë. Sipas librit, ai i tha: “Më telefonoi vëllai im. Ka folur me një grup njerëzish me shumë fuqi në Filadelfia.” Më pas përmendi disa emra dhe e pyeti Harris nëse i njihte. Ajo nuk i njihte.

Harris shkruan: “Pastaj arriti te thelbi. Vëllai i tij i kishte thënë se ata njerëz nuk do të më mbështesnin sepse unë paskam thënë gjëra të këqija për të. Ai pretendoi se nuk kishte shumë arsye për ta besuar, por mendoi se duhet ta dija, në rast se ekipi im po më inkurajonte të distancohesha nga ai.”

Harris i kërkoi Bidenit t’i vinte ata njerëz direkt në kontakt me të. Por ai nuk e mbylli aty telefonatën. Ai u përpoq të rishkruante historinë e performancës së tij të dështuar në debat me Trump, tre muaj më parë.

“Joe nisi të fliste për performancat e tij të mëparshme në debat. ‘E munda atë herën tjetër; nuk ndihesha mirë në atë të fundit.’ Vazhdonte të këmbëngulte se performanca e tij nuk i kishte bërë shumë dëm me elektoratin. Unë mezi e dëgjoja.”

Harris reflektuar më tej, duke e përshkruar debatin e saj me Trump si “një duel i madh”, një lloj “ndeshjeje boksimi për titullin e madh”, me pasoja të mëdha për Amerikën dhe botën. Ajo ndiente se duhej të ishte në formën më të mirë të saj.

Reklamë

Për Bidenin, ajo shkruan: “Thjesht nuk e kuptoja pse do të më telefononte, pikërisht në këtë moment, dhe ta bënte gjithçka për veten. Më shpërqendronte me shqetësime për njerëz me fuqi armiqësore në qytetin më të madh të shtetit më të rëndësishëm.”

Bashkëshorti i saj, Doug Emhoff, “e kuptoi sa e zemëruar dhe e zhgënjyer isha. ‘Lëre fare,’ më tha ai. Ai e dinte që duhej të përqendrohesha përsëri. ‘Mos u shqetëso për të. Ti po merresh me Trumpin. Lëre.’”

Gjatë fushatës dhe pas saj, Kamala Harris kishte shmangur kritikat ndaj presidentit me të cilin kishte shërbyer dhe e kishte mbrojtur atë përballë pyetjeve mbi gjendjen e tij mendore.

Por në 107 Days, ajo i bën të qarta tensionet mes tyre. Kur Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin Roe v. Wade për abortin në vitin 2022, për shembull, “Joe pati vështirësi të fliste për të drejtat riprodhuese në një mënyrë që i përshtatej rëndësisë së momentit.”

Reklamë

Harris pranon se kishte një dallim mes aftësisë së Biden për të qeverisur dhe aftësisë për të bërë fushatë, dhe se ajo kishte shqetësime për këtë të fundit. Ajo shkruan: “Zëri i tij nuk ishte më i fuqishëm, gabimet në të folur po bëheshin më të shpeshta.”

Në një takim të tensionuar më 4 korrik, kur Biden po përballej me thirrje në rritje për t’u tërhequr pas performancës së dobët në debat, Harris e përshkruan se si e përqafoi dhe vuri re se “ndihej aq i brishtë”.

Ndërkohë, burri i saj Doug Emhoff u çua për të takuar ish-zonjën e parë, Jill Biden.

Harris shkruan: “Ajo dukej e tensionuar, madje e zemëruar. ‘Çfarë po ndodh?’ pyeti ajo. ‘Na mbështetni?’ Doug u përgjigj: Sigurisht. Sigurisht që ju mbështesim. ‘OK. Kjo është shumë e rëndësishme. Duhet ta dimë këtë.’”

Reklamë

Kur Harris u ribashkua me Doug, ai ishte mërzitur.

“Doug është i ftohtë në temperament. Nuk zemërohet lehtë. Por e kuptova që diçka e kishte prekur.”

Më vonë, ai shpërtheu: “Të mbajnë të fshehur për katër vjet, të japin punët më të vështira dhe të neveritshme, nuk korrigjojnë narrativën kur këto detyra keqinterpretohen, nuk të mbrojnë kur të sulmojnë, kurrë nuk lavdërojnë arritjet e tua – dhe tani, më në fund, të duan aty, në ballkon, pranë tyre. Tani, më në fund, e kuptojnë që je një aset, dhe kanë nevojë për ty që të qetësosh popullin amerikan. Dhe përsëri, pyesin nëse jemi besnikë?”

Harris ndante të njëjtat ndjenja. Ajo kujton se si dikur u qortua nga ekipi i Biden për një fjalim.

Reklamë

“Mendimi i tyre ishte nëse ajo shkëlqen, ai zbehet.”

Më 21 korrik, Biden u tërhoq nga gara dhe e mbështeti Harris si pasuese. Por këshilltarët e fushatës i kërkuan asaj të distancohej nga ai. David Plouffe, një nga ndihmësit kryesorë, më në fund i tha:

“Njerëzit e urrejnë Joe Biden.”

Ajo pranon: “Ishte e vështirë për mua ta dëgjoja këtë.”/Reporteri.net